Site icon Telegrafi

Nuk do të shitet çelësi i qelisë ku qëndronte Mandela – por edhe shumëçka tjetër do t’i kthehet Afrikës

Çelësat e qelisë kryesore në të cilën ishte i burgosur Nelson Mandela do të kthehet në Afrikën e Jugut në vend që të nxirret në ankand në SHBA.

Ankandi ishte planifikuar të zhvillohej në New York më 28 janar, por u kundërshtua nga ministri i Kulturës së Afrikës së Jugut, Nathi Mthethwa. “Çelësi i përket popullit të Afrikës së Jugut”, ishte i qartë ministri.

Mandela kaloi 27 vjet burg duke luftuar aparteidin. Prej tyre, ai kaloi 18 vjet në ishullin Robben, një ishull jo shumë larg nga Cape Town.

Në vitin 1994, ai u bë presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut që nga zgjedhjet e para demokratike të vendit dhe me kalimin e kohës u bë një ikonë kombëtare dhe simbol i luftës për liri, raporton bbc.

Mthethwa konfirmoi se shtëpia e ankandit Guernsey kishte rënë dakord të kthente çelësat në Afrikën e Jugut, por edhe të anulonte shitjen e sendeve të tjera që i përkisnin Mandelës. Midis këtyre artikujve janë piktura origjinale “The Lighthouse, Roben Island” dhe një biçikletë e palëvizshme që Mandela u lejua ta përdorte në burg. Gjithashtu, është edhe raketa e tij e tenisit.

“Çelësi simbolizon historinë e mirëbesimit të Afrikës së Jugut dhe përfaqëson triumfin e shpirtit njerëzor mbi të keqen”, tha ministri. Artikujt synoheshin të shiteshin nga Christo Brand, një ish-gardian burgu, i cili u bë mik i mirë i Mandelës.

Të ardhurat nga shitja e artikujve do të përdoreshin për të ndërtuar një kopsht përkujtimor dhe muze rreth vendit të prehjes së përjetshme të Mandelës.

Mandela u lirua nga burgu në vitin 1990 dhe Afrika e Jugut filloi të largohej nga aparteidi. Ai shërbeu një mandat si president dhe dha dorëheqje në vitin 1999. Ai u nda nga jeta në vitin 2013 kur ishte 95 vjeç. /Telegrafi/

Exit mobile version