Dy vite më parë, Samsung vendosi të prezantojë një telefon që do të ishte i destinuar për të gjithë ata që duan përvojën e përdorimit të një telefoni Galaxy, por që të paguajnë më pak për të.
Në vjeshtën e vitit 2020, kompania koreano-jugore prezantoi Samsung Galaxy S20 FE dhe këtë vit me një vonesë të madhe do të arrijë edhe Samsung Galaxy S21 FE. Galaxy S22 FE pritej gjithashtu këtë vit, por kjo nuk do të ndodhë dhe Samsung thuhet se ka hequr dorë nga telefonat FE.
Sammobile tregon arsyen e mos lansimit të një telefoni Galaxy S22 FE këtë vit, si dhe për planet e mundshme të ardhshme të Samsung për telefonat FE.
Portali i njohur thekson se Samsung nuk ka hequr dorë plotësisht nga telefonat FE në të ardhmen, por vetëm se Galaxy S22 FE i planifikuar nuk do të arrijë këtë vit. Portali tregon edhe arsyet e mundshme.
Përkatësisht, thuhet se një nga synimet kryesore të Samsung për këtë vit ishte rritja e shitjeve të telefonit Galaxy S22 Ultra. Gjithçka shkoi dhe po shkon sipas planit, sepse Samsung shënon rezultate të shkëlqyera në shitje për këtë telefon. Në fillim të muajit, u raportua se Samsung ka shitur më shumë se 11 milionë telefona Galaxy S22 Ultra. Ky numër është shumë më i lartë se telefoni më i shitur Galaxy Note ndonjëherë.
Me sa duket, Samsung Galaxy S22 Ultra është arsyeja kryesore pse telefoni Galaxy S22 nuk do të prezantohet. Samsung, për shkak të mungesës së çipave, duhej të merrte një vendim se për cilët telefona do të rezervoheshin dhe vendimi ra në Galaxy S22 Ultra.
Thuhet se Samsung planifikoi të prodhonte tre milionë telefona Galaxy S22 FE këtë vit, por për shkak të problemit të mësipërm, vendosi të ndryshojë planin dhe të përdorë çipat për Galaxy S22 Ultra.
Në fund të artikullit, Sammobile thekson se Samsung nuk ka hequr dorë përgjithmonë nga telefoni Galaxy FE dhe se Samsung Galaxy S23 FE do të prezantohet vitin e ardhshëm. /Telegrafi/