Zëvendësministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hysen Durmishi ka bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje me Shoqatën e Transportit Rrugor, të kthejnë çmimet si kanë qenë më parë të biletave të autobusëve për disa kategori.
Durmishi ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletave për fëmijët, studentët, invalidët e luftës dhe pensionistët, edhe nëse do të shtenjtohet sërish nafta, transmeton Telegrafi.
“Siç e dini ka ndodhur rritja e cmimive të produkteve, për shkak të naftës, ku kompanitë e transportit kanë rritur çmimet e biletave, dhe ne si Ministri kishim marrë vendim për t’i mbrojtur disa kategori nga kjo rritje. Tani kemi ardhur në një dakordim dhe përfundim të përbashkët, dhe duke e pasur parasysh që ka rënë çmimi i naftës, që çmimet të kthehen në gjendjen në të cilën kanë qenë, për kategoritë që kanë qenë, do t’i kthejnë çmimet e biletave qysh kanë qenë më herët”, deklaroi ai para mediave.
Tutje, Durmishi ka thënë se Shoqata e Transportit Rrugor ka hequr padinë ndaj Ministrisë.
Ndryshe, Ministria e Infrastrukturës kishte marrë vendim që të përgjysmohet çmimi i biletës, për fëmijët, studentët, invalidët e luftës dhe pensionistët. /Telegrafi/