Site icon Telegrafi

Nuk do të ketë gjuhë shqipe në “Mbrëmjet strugane të poezisë”

Drejtuesit e Festivalit “Mbrëmjet strugane të Poezisë” mbrojnë me ngulm shpërfilljen e gjuhës shqipe në këtë manifestim. Drejtori i këtij festivali, i financuar nga Ministria e Kulturës Mite Stefoski thotë se bëhet fjalë për promovim të kulturës dhe letërsisë maqedonase, por se në të janë promovuar edhe nacionalitete tjera në Maqedoni. Ai madje akuzoi Komunën e Strugës se nuk është e interesuar për bashkëpunim, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Shpresoj se do të jemi të arsyeshëm dhe do të gjejmë mënyrë për bashkëpunim, por të flasim për problemet reale. Pse nuk është rregulluar bregu, përse është vënë në rrezik siguria e publikut. Pse qyteti nuk mund të gjej mënyrë për atë që bashkëpunimi të jetë në kuptim të mbështetjes së përgatitjes së skenave të reja. Ne nuk kemi asnjë problem me komunën e Strugës. Ne nuk bojkotojmë, duhet ta pyetni atë që bojkoton”, ka thënë Stefoski.

Në anën e Stefoskit ka dalë edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës Behixhudin Shehapi. I pyetur nga AlsatM pse gjuha shqipe nuk përdoret në këtë festival, ai ka thënë se arsyet i kanë treguar nga drejtoria. Ai madje ka pranuar se nuk ka mund të bëjë asgjë në këtë drejtim dhe për përgjigje ka udhëzuar te ministrja e kulturës Elizabeta Kançevska Milevska.

Pasi e ka ndërprerë linjën telefonike Shehapi nëpërmjet porosisë ka shkruar se gjuha shqipe dhe letërsia shqiptare janë prezent në mbrëmjen strugane të poezisë, por për shkak të karakterit ndërkombëtar të festivalit, në skenë prezantimi do të bëhet vetëm në gjuhën angleze. Pavarësisht këtij qëndrimi të Shehapit, ish drejtori i këtij festivali Jovan Strezovski ka thënë se patjetër të gjendet mënyrë për përdorimin e gjuhës shqipe në festival.

“Autoritetet lokale dhe kryesia e “Mbrëmjeve strugane” duhet të ulen dhe të merren vesh për mënyrën se si do ta gjej gjuha shqipe vendin në këtë manifestim. Nëse ajo do të jetë në fjalimet përshëndetëse ose në mbrëmje të veçanta të poezisë shqiptare ku do të prezantohen poetë shqiptarë në Maqedoni ose forma tjera, mund të zgjidhet kjo çështje dhe nuk duhet të politizohet”, është shprehur Jovan Strezoski, Ish drejtor i festivalit.

Komuna e Strugës për të katërtin vit me radhë do ta bojkotoj festivalin për shkak të mospërdorimit të gjuhës shqipe edhe përkundër asaj që gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni, ndërsa Struga është qytet me shumicë shqiptare. Edhe ftesa e dërguar në adresë të kryetarit Ziadin Sela nga krerët e festivalit është shkruar vetëm në gjuhë maqedonase./Telegrafi/

 

Exit mobile version