Telegrafi

Nuk do të ketë “fshesë” për ministrat e BDI-së?

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, njëkohësisht zv. kryeministër në Qeveri, për “Tv21” tha se BDI i ka definuar emrat e ministrave që do të përfshihen në rikonstruimin e kabinetit qeveritar.

I pyetur se sa ministra të BDI-së do të ndryshohen, zëdhënësi i integristëve tha se do të plotësohen dy vende.

“Unë mendoj se shumë shpejt duhet të ketë plotësim të Ministrisë për Sistem Politik dhe kjo nënkupton ndonjë rokadë brenda për ta plotësuar atë vend dhe eventualisht për ta plotësuar vendin që do të zbrazet nga ai plotësim. Kjo do të thotë se do të plotësohen dy vende, nga të cilat njëra do të jetë vetëm rokadë”, tha Osmani.

Osmani foli edhe për largimin e kryetarëve të degëve të BDI-së.

“Mandati I kryetarëve të degëve ka skaduar në nëntor 2018 kur kanë përfunduar katër vjet nga përzgjedhja e tyre dhe tani është krijuar një gep në menaxhimin e degëve, kryesia e partisë përcaktoi grupin e punës dhe koordinator për çdo degë të cilët kanë për detyrë të organizojnë zgjedhje në degë”, tha Osmani.