Një rrogë mujore e barabartë me 41 euro: fjetje në dysheme, letër higjienike dhe një kovë me ujë në vend të bidesë. Kush kërkon të luftojë për Shtetin Islamik në Siri, sigurisht nuk mund ta bëjë pa sakrifica. Gjykata e Lartë e Sidneit, do të nisë këto ditë procesin ndaj Hamdi Alqudsit, një rekrutues i mundshëm i ISIS-it dhe nga mesazhet e tij, dalin detaje të jetës së përditshme të të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj”.
Alqudsi, 41 vjeç, akuzohet se ka përgatitur persona për të luftuar në Siri në periudhën përfshirë mes qershorit dhe nëntorit 2013. Ai vetë kishte provuar të nisej për t’iu bashkuar xhihadistëve dhe për të krijuar një ide për jetën e re që e priste dhe kishte pasur një shkëmbim intensiv mesazhesh në ‘Skype’ dhe ‘Ëhatsapp’ me militantë të ndryshëm atje.
“Sa kushtojnë pistoletat atje, M16, shpatat, thikat, granatat etj”, – pyeste Alqudsi në një mesazh, duke qartësuar dëshirën për të blerë një AK47 të zi. Pastaj donte të dinte “si funksionon mënyra për të ngrënë, larë, shkuar në banjë, më trego”. Megjithatë, pas shumë këmbënguljeje për të pasur informacione të detajuara, Hamdi Alqudsit iu tërhoq pasaporta dhe kështu nuk pati mundësi të kurorëzojë ëndrrën e tij ekstremiste.
“Ushqimi nuk është një problem, falë Zotit”, – shkruante një militant nga Siria. Ushqimet e regjimentit janë të përfshira në pagë, por darkat në restorante dhe akulloret duhen paguar nga vetë militantët, sikundër dhe veshjet. Nga ana tjetër, “letra higjienike nuk ekziston” dhe kemi dyshekë që i vendosim në tokë për të fjetur në një vend sipas dëshirës sonë…”, transmeton gazetashqip.
Në një tjetër bisedë, rekrutuesi pyeste një luftëtar, Caner Temel, për të realizuar një video-propagandë për të inkurajuar myslimanët australianë “të mbështesin xhihadin dhe të përgatitin muxhahdinë për triumfin e këtij besimi. Ndërkohë, ai i fliste për dëshirën për t’iu bashkuar militantëve në Siri, por shpjegonte se u detyrua të shtyjë udhëtimin, sepse mamaja e tij ishte e sëmurë rëndë, i vëllai po ashtu dhe i ati do të operohej në gjunjë. Canet Temel vdiq gjatë luftimeve pak kohë më parë.