Përse të gjitha bletët janë të rëndësishme për natyrën?
Rëndësia e tyre më e madhe është se ato janë shumë efikase në pllenim. Poleni ngjitet mirë në trupin e tyre dhe transferohet lehtësisht në pistil. Mbijetesa e bimëve nuk do të ishte e mundur pa pjalmuesit.
Nëse nuk do të kishte bletë, me kalimin e kohës do të kishte një çekuilibër të plotë. Bota, siç e njohim sot, nuk do të ishte më e tillë, bimët e luleve nuk do të ishin më dominuese në planet.
Stabiliteti i prodhimit të ushqimit nuk do të ishte më i mundur në këtë mënyrë. Nuk do të vdisnim nga uria, por do të ndodhnin ndryshime drastike, transmeton Telegrafi.
Më shumë se 20.000 lloje bletësh janë përshkruar në botë deri më tani! Rreth 1.000 specie jetojnë këtu në Ballkan. Nga këto, bleta e mjaltit është vetëm një specie.
Bletët jetojnë në komunitete të mëdha dhe atje dihet mirë se kush çfarë bën, çfarë detyrash kanë brenda kosheres. Bletët e mjaltit jetojnë për një kohë të shkurtër, nga katër deri në gjashtë javë.
Pse thuhet “je i mençur si bleta”?
Vetëm shikoni komunikimin e tyre – është në një nivel shumë të lartë. Bletët e tjera nuk komunikojnë kështu, kjo është shumë specifike për bletët e mjaltit. Sipas disa hulumtimeve, bletët mund të njohin fytyrat. Ju mund ta stërvitni një bletë që të njohë disa aroma.
Bletët janë më të kërcënuara nga njerëzit
Ne shkatërrojmë habitatet natyrore sepse zgjerojmë zonat urbane apo bujqësore. Me këtë ua pakësojmë hapësirën për të gjetur ushqim, për të bërë vezë.
Është krejtësisht e natyrshme që prindërit të kenë frikë se fëmija i tyre do të pickohet nga bleta. Fëmijët janë aktivë, të zhurmshëm, u pëlqen të prekin gjithçka, dhe pyetja është se si t’i bashkojmë ata dhe bletët.
Në disa vende, në kuadër të projekteve ekologjike, disa kopshte organizojnë vendosjen e hoteleve për insektet dhe mbjelljen e bimëve të mjaltit, gjë që i tremb prindërit e të vegjëlve në rast se bleta e thumbon fëmijën.
Megjithatë, të ashtuquajtura hotele bletësh janë vetëm një mënyrë për të siguruar vende foleje për bletët. Është një grup kërcëllish të zbrazëta që vendosen në një vend dhe aty do të shkojnë bletët për të bërë folenë. Aty grumbullohen vetëm llojet e vetmuara të bletëve dhe nuk kanë instinkt për të mbrojtur foletë e tyre. Si rezultat, nuk do të pickojnë, ndryshe nga bletët e mjaltit.
Hotelet e bletëve janë plotësisht të sigurta dhe janë një mjet i shkëlqyer arsimor sepse fëmijët mund të afrohen, të shohin dhe vëzhgojnë ciklin jetësor të bletëve pa asnjë rrezik.
/Telegrafi/