Në gjykimin ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Nehbi Shatri, Eset Berisha dhe Besim Tahiri për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në lidhje me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë Bechtel- Enka, nuk është arritur të sigurohet prezenca e pronarit të kompanisë në fjalë dhe udhëheqësit të kompanisë mbikëqyrëse, Hill International.
Pronari i kompanisë Bechtel & Enka është Riyadh Alkhazaraji dhe udhëheqësi i kompanisë mbikëqyrëse për projektin ku parashihej ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi”.
Sipas prokurorit Special, Atdhe Dema kanë arritur që të kontaktojnë me udhëheqësin e ekipit së kompanisë Hill International dhe me të njëjtin kanë ngelur në fazën ku i njëjti duhet të deklarohet për mundësinë se kur mundet të paraqitet në Gjykatë për të dhënë dëshminë si dhe a mund të paraqitet, raporton kallxo.com.
Kurse për pronarin e kompanisë Bechtel & Enka, prokurori u deklarua se nuk kanë arritur që të kontaktojnë më të njëjtin.
Në këto rrethana, prokurori Dema propozoi që deklarimet e dëshmitarëve të dhëna në polici të konsiderohen të lexuara. Lidhur me këtë kundërshtime paraqitën mbrojtja e të akuzuarve duke kërkuar nga prokuroria që dëshmitarët që i ka propozuar në aktakuzë të vijnë në gjykatë për të dëshmuar.
Gjykata mori vendim që të refuzoj propozimin e prokurorisë, duke i obliguar të njëjtit që të bëhet përpjekje për sigurimin e dëshmitarëve që të dëgjohen në këtë gjykim.
“Gjykata merr aktvendim, tani për tani refuzohet propozim i prokurorit të Prokurorisë Speciale, obligohen prokurorët e prokurorisë speciale që brenda intervalit kohor gjatë seancave të këtij shqyrtimi gjyqësor të tentojnë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare me qëllim të dëgjimit të dëshmitarëve me qëllim që të kenë mundësi mbrojtja të bëjnë pyetje dhe kundërshtimet për dëshmitarët”, tha gjyqtarja Violeta Namani.
Përndryshe në këtë seancë për herë të parë të pranishëm janë dy prokurorët Atdhe Dema dhe Valdet Gashi.
Tutje Gjykimi është duke vazhduar me administrimin e provave materiale e cila procedurë pritet të vazhdoj edhe në sesionin e pas ditës.
Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.
Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.
Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.
Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.