Telegrafi

Nuk punon asnjë ditë, paguhet 4,564 euro nga ministria (Video)

Përgjatë gjithë vitit të kaluar asnjëherë  nuk kishte shkuar në punë. Por kjo nuk e kishte  ndaluar Ministrinë e Infrastrukturës, që një nga zyrtarët e saj ta paguajë me pagën vjetore 4 mijë e 564 euro.

Madje ka edhe të tillë që nuk kanë asnjë dëshmi se kryen ndonjë punë në këtë institucion, njofton RTV Dukagjini.

“Rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës, neni 4 pika 3 thuhet: orari i punës fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:00 përveç nëse rregullohet ndryshe nga organizata. Gjithashtu neni 7 vijueshmëria në punë: gjatë orarit të punës të gjithë nëpunësit civil janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Në një rast kemi vërejtur që MI nuk kishte dëshmi për vijueshmërinë në punë për një zyrtar. I njëjti asnjëherë nuk figuron në regjistrin e ardhje vajtjeve në punë gjatë vitit 2017 ndërsa kompensimi vjetor për këtë të punësuar ishte 4,564€. Në listën e pranuar nga zyrtarët përgjegjës të MI-së, vërehet se ekzistojnë edhe 31 punonjës/raste tjera të ngjashme, ku të gjithë i përkasin minoriteteve”.

Raste të tilla në këtë ministri si dhe në institucionet e tjera, i ka bërë me dije Zyra Kombëtare e Auditimit.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme,  auditori ka hasur në mungesën e dosjeve të personelit diplomatik.

Në të gjeturat e auditorit thuhet se:

“Në dy raste të testuara, në dosje të punësuarve diplomatik, vendimet për emërim në pozita të caktuara ishin kopje të palexueshme. Departamenti i Burimeve Njerëzore nuk posedonte dokument tjetër valid për të punësuarit. Si rrjedhojë testimi ishte i pamundur pasi që nuk kishte dëshmi në dispozicion për të justifikuar pagën/shtesat e të punësuarve”. Mungesa e dokumenteve origjinale rrit rrezikun që të ndodhin pagesa të parregullta”.

Edhe pse rregullorja e MPJ thotë se nuk mund të bëhet mbulimi i pozitave me ushtrues detyre, një gjë e tillë bëhet në këtë ministri  që nga viti 2016 në tri pozita.

Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Auditori kishte gjetur  shkelje tek kontratat për furnizimin me inventar, duku u zgjedhur kompania më e shtrenjtë për këtë furnizim.

Në raportin e realizuar për vitin 2017 nga Zyra e Auditorit në shumë institucione janë  gjetur shkelje të kontratave dhe marrëveshjeve, duke filluar nga stafi, deri tek kontratat e jashtme./Telegrafi/