Site icon Telegrafi

“E pamoralshme t’ua marrim gati, nuk prodhojmë futbollistë” – Redi Jupi dhe Gëzim Sinemati flasin për kalimin e Etnik Brrutit te Shqipëria

Mesfushori Etnik Brruti ka vendosur për të ndërruar Kosovën për Shqipërinë, ndërsa në ditët e fundit, rasti i tij ka qenë prej më të komentuarve, pasi që shumë njerëzve nuk iu ka pëlqyer kjo gjë, ndërsa një pjese po.   

Përzgjdhësi i Kosovës U-21, Afrim Tovërlani, deklaroi se Brruti i ka njoftuar për vendimin e tij për të luajtur me Shqipërinë përmes një mesazhi fillimisht. 

Tema e mesfushorit ishte kryesorja në emisionet sportive në Kosovës, por edhe në Shqipëri, ku dy emra të njohur si ish futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Redi Jupi, si dhe gazetari Gëzim Sinemati dhanë mendimet e tyre në emisionin ‘Procesi Sportiv’.

Jupi ka deklaruar se Brutti erdhi te Shqipëria për interesat e tij, ndërsa tregoi se futbollistët janë oportunist në zgjedhjet e tyre.   

“Brruti erdhi te Shqipëria për interesin e tij. Kombëtarja e Shqipërisë prej vitesh është më lartë se Kosova në menaxhim, organizim, rezultate, e të tjera. Një kohë Kosova ishte shumë me lartë dhe Shqipëria nuk ia dilte të merrte lojtarë. Pra, futbollistët janë oportunistë dhe zgjedhin vetëm për interesin e tyre”, deklaroi Redi Jupi.  

Më kritikë dhe i zëshëm ndaj FSHF-së ishte Sinemati, i cili e nënvizoi faktin që Shqipëria nuk prodhon lojtarë.   

“Ne i bëjmë hile Kosovës sepse ata prodhojnë futbollistë dhe ne jo. Kjo do te vazhdojë sepse ne nuk jemi ne gjendje të prodhojmë një futbollist. Krijoje një lojtar këtu, të interesohet edhe Kosova për të. Është e pamoralshme t’ua marrim të gatshëm”, deklaroi gazetari Gëzim Sinemati. 

Gjatë emisionit u prezantua edhe një foto nga formacionet e ndeshjes 2 Korriku – Bylis në UEFA Youth League për 19 vjeç, ku skuadra shqiptare kishte gjysmën e skuadrës me lojtarë të huaj. /Telegrafi/  

Exit mobile version