Site icon Telegrafi

Nuk pranonte ndarjen e pronës me motrën, zbardhet konflikti pse babai vrau djalin

Janë zbardhur detaje të reja mbi krimin e rëndë familjar që ndodhi më 1 shkurt në zonën e Kodrës së Priftit, në Tiranë, ku 74-vjeçari Hekuran Gjoni vrau me thikë djalin e tij, Asim Gjonin. Hetimet kanë konfirmuar se konflikti mes tyre kishte në qendër mosmarrëveshjet për pronësinë e banesës.

Familja Gjoni jetonte në një ndërtesë trekatëshe, ku Hekurani kishte ndarë nga një kat për secilin nga djemtë e tij përmes një akti dhurimi. Konflikti mes tyre nisi rreth një muaj më parë, kur vajza e vogël e Hekuranit, e sapodivorcuar, kërkoi një pjesë të katit të parë për të jetuar me prindërit. Kjo kërkesë tensionoi marrëdhëniet brenda familjes, duke çuar në një përshkallëzim të situatës.

Tre ditë para ngjarjes, Hekurani i kërkoi djemve të tij dokumentet e pronësisë, çka shkaktoi debate të ashpra. Më 1 shkurt, gjatë një tjetër përplasjeje verbale dhe fizike, 74-vjeçari goditi me thikë të birin, duke i shkaktuar vdekjen.

Motra e viktimës, e cila ishte e pranishme në momentin e ngjarjes, fillimisht ka deklaruar se të dy ishin nën efektin e alkoolit, por kjo nuk është konfirmuar nga hetimet. Gjatë konfliktit ajo ka mbetur e lënduar dhe është dërguar në spital për trajtim. Më pas është rikthyer në banesë, por nuk ka marrë pjesë në varrimin e të vëllait.

Asim Gjoni punonte në ndërtim dhe ishte i njohur si një njeri familjar. Ngjarja ka tronditur komunitetin, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e krimit.

Exit mobile version