Kandidati për deputet nga NISMA Socialdemokrate në koalicionin me AAK-në, Vesel Krasniqi, ka reaguar ndaj kritikave të shumta që iu bënë Fatmir Limajt, pas deklaratës së tij se nuk ka vija të kuqe për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme, qoftë edhe me LVV-në.
Krasniqi ka thënë se “Fatmir Limaj është një politikan i kalibrit ndërkombëtar, dhe për këtë arsye mendimi i tij shpesh mund të duket i vështirë për t’u kuptuar nga disa”.
“Këta disa, e dikush duket se e kanë problem për ta kuptuar realitetin e kthimit të z. Fatmir Limajt në Parlamentin e Kosovës, pavarësisht kontributit të tij të vazhdueshëm për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, transmeton Telegrafi.
Tutje ai ka thënë se “lideri Limaj ka qenë gjithmonë mbështetës i fortë i secilit që ka kontribuar për interesa të qytetarëve dhe do të vazhdojë të punojë për interesa kombëtare”.
“Ne nuk po vrapojmë për të marrë rendin për qeverisje, jo, rrini të qetë, sepse të tjerët e kanë zënë moti, duke ngrënë dreka e darka me Albin Kurtin”.
Krasniqi ka thënë se “ne punojmë për interesa të qytetarëve dhe për të mirën e Kosovës, e jo për agjenda ditore dhe personale”.
Ndryshe, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të enjten ka bërë thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve.
Ai ka thënë se kush i bën ftesë për t’u ulur në tavolinë, ai do t’i përgjigjej “për të mirën e vendit”.