Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë kërkuar nga Qeveria që të mundësojë angazhimin e 1,000 mësimdhënëseve me pagesë për vitin e ri shkollor.
Madje Sindikata e Arsimit të Kosovës, kishte kërkuar që të zëvendësohen dhe të sigurohen mjete shtesë për mësimdhënësit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se ka hezitim nga drejtoritë komunale të Arsimit, për të realizuar vendimin e Ministrisë së Arsimit.
Jasharaj thotë se nëse ky vendim nuk realizohet nga DKA-të, atëherë SBASHK-u do të kërkon kthimin e mjeteve.
Ne jemi të shqetësuar ngase informacionet tona flasin ngase drejtoritë arsimore, disi po hezitojnë të realizojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit, që të sigurohen mjete së paku për këtë vit shkollor për një numër që e kemi konsideruar 300 të sëmurë rëndë, me kancer dhe sëmundje të tjera, dhe në disa drejtori arsimore ka hezitime që këtyre njerëzve të ju thonë që të pushojnë gjatë këtij viti shkollor, sepse MASH-i ka siguruar mjete dhe të angazhojnë kuadro të reja”, tha Jasharaj, për Ekonomia Online.
“Po ashtu nuk është ju shpjeguar mirë dhe ende nuk e kemi gjendjen reale se çfarë me ato norma që i ka siguruar qeveria dhe MASh, sepse ato norma janë siguruar për mësimdhënësit që preken me Covid, për tu zëvendësuar. Ne do të përcjellim me kujdes dhe po presim se po ndodh fillimi i tetorit pasi që kemi edhe fillimi e vitit të ri akademi, dhe do ta bëjmë një analizë se sa po realizohet marrëveshja për mësimdhënësit e sëmurë dhe për ato mbi normat. Nëse nuk realizohet siç duhet, atëherë ne do të reagojmë publikisht dhe do të kërkojmë nga Ministria e Arsimit që ato mjete t’ia kërkojë DKA-ve, që t’i kthejnë, sepse ato mjete qeveria i ka ndarë për këto dy qëllimi eventualisht kur shtohen normat dhe që kolegët tanë të sëmurë rëndë të merren me sëmundjen e tyre por që të mos jenë aktiv në këtë vitë shkollorë por që ta marrin pagën e plotë”.
“Ne kemi pasur ankesa nga kolegët tanë që janë të sëmurë, që na janë lutur që ne t’i drejtohemi DKA-ve, që të zëvendësohen, dhe jo çdokund është realizuar vendimi i MASH-it që kolegët tanë të sëmurë që të zëvendësohen”, ka thënë ai .
Tutje ai ka folur edhe për respektimin e masave në shkolla si dhe për të infektuarit me Covid-19. Ai është shprehur se nga informacionet që ka janë duke u respektuar masat nëpër shkollat e vendit.
“Task-forcat janë duke e përcjellë gjendjen nëpër shkolla, dhe është e vërtet se kemi raste të paraqitjes të prekurve me Covid, qoftë nga nxënësit dhe mesi i punëtorëve të arsimit. Task-forcat në bazë të informacioneve tona po veprojnë në bazë të vendimeve të IKShPK-së, dhe në momentet kur ai numër ësht më i dukshëm, atëherë kalohet në një verzion tjetër të mësimit, pra mësimi nga larg. Nga informacionet tona që kemi në përgjithësi janë duke u respektuar ato rregullat e mbrojtjes, por ka qenë e pritur që të kemi raste dhe fatmirësisht që nuk kemi raste shumë të mëdha”.
Jasharaj ka kërkuar edhe ndihmën e ministri të Arsimit dhe atij të Punës dhe Mirëqenies Sociale, që mësimdhënësit sëmundje të rënda të pensionohen para kohe.
“Unë uroj që bashkë me ministrin Likaj dhe ministrin Reçica, që për këta njerëz të gjendet një zgjidhje afatgjatë në mënyrë që ata të pensionohen parakohe dhe të këtë e meritojnë ngase kanë punuar shumë në arsim dhe tash janë të sëmurë”.
Ai e ka përmendur edhe njëherë se janë kundër mbajtjes së temperaturës nga personeli arsimor në shkolla.
“Ne prapë jemi kundër mbartjes së temperaturave ngase nuk është detyrë që mund ta kryejmë si duhet, se personeli arsimor do të humb një kohë kogja të gjatë sepse ai mësimdhënës është vonuar për orën e vet mësimore, kur në këtë kohë orët mësimore janë të zvogëluara dhe ai nuk e ka obligim dhe as detyrë”, tha ai.