Telegrafi

“A nuk po mendon askush për lojtarët?!” – Gundogan thotë se formati i ri në Ligën e Kampionëve është thuajse po aq i keq sa Superliga Evropiane

Ilkay Gundogan ka shprehur bindjen e tij se formati i ri i Ligës së Kampionëve është pak më i keq nga dy të këqijat në krahasim me Superligën Evropiane, ndërsa pyeti nëse mendon dikush për lojtarët.

Titujt e futbollit të kësaj jave janë dominuar nga formimi i propozuar i një gare të re të quajtur Superliga Evropiane që përmban 12 nga klubet më të pasura në futbollin evropian.

Por, ky themelim dhe kjo ide e jetësimit të Superligës Evropiane është dënuar botërisht nga tifozët dhe ekspertët e futbollit.

Lexo po ashtu Zyrtare: Manchester City bëhet klubi i parë që largohet nga Superliga Evropiane

Ky njoftim bëri që UEFA të njoftoj pas disa orësh për një format të ri të Ligës së Kampionëve mes kaosit, por as ai nuk është se është pritur mirë nga lojtarët.

Ylli i Manchester Cityt, Gundogan beson se formati i ri i Ligës së Kampionëve ka potencialin të jetë pothuajse aq i dëmshëm për lojtarët sa planet e diskutueshme të Superligës Evropiane.

“Teksa gjithë këto gjërat me Superligën po ndodhin… a mund të flasim gjithashtu për formatin e ri të Ligës së Kampionëve? Gjithnjë e më shumë ndeshje, a nuk mendon askush për ne lojtarët?”.

“Formati i ri i Ligës së Kampionëve është pak më i keq nga dy të këqijat, në krahasim me Superligën”, shkroi fillimisht Gundogan në Twitter.

“Formati i tanishëm i Ligës së Kampionëve funksionon shkëlqyeshëm dhe kjo është arsyeja pse është gara më e njohur për klube në botë – për ne lojtarët dhe për tifozët”, shkroi mesfushori në një postim tjetër. /Telegrafi/