Adnan Januzaj u largua nga Real Sociedad gjatë afatit kalimtar veror si një futbollist i lirë dhe vendosi t’i bashkohej Sevillas.
Por nënshkrimi me klubin andaluzian duket se ka qenë një gabim si për lojtarin ashtu edhe për klubin.
Kosovari me pasaportë belge nuk ka marrë minutat që ka dashur për Kampionatin Botërorë dhe vështirë se do të ftohet nga Përfaqësuesja e Belgjikës.
Sipas Gol Digital, agjenti i Januzajt ka kontaktuar me Real Sociedadin duke i kërkuar një shans të dytë pasi besohet se sulmuesi është gati të rikthehet në San Sebastian.
Prioriteti i sulmuesit është të jetë në listën e Roberto Martínez për Kampionatin Botëror, por deri më tani minutat e tij tregojnë se ai nuk do të udhëtojë me përfaqësuesen belge në Katar.
Parashihej që me largimin e Lucas Ocampos dhe lëndimin e rëndë të Tecatito Coronas, kosovari do të ishte një titullar i padiskutueshëm te Sevilla, por shkarkimi i trajnerit Julen Lopeteguit ka qenë një goditje e rëndë për anësorin.
Me ardhjen e trajnerit Jorge Sampaoli planet e Januzajt janë prishur, pasi skema e re që praktikon argjentinasi si dhe mosbesimi ndaj Januzajt kanë bërë që istogasi të mbetet në bankën rezervë.
27-vjeçari ka luajtur vetëm 49 minuta si zëvendësues në tre ndeshje me Sevillan, derisa largimi i tij në janar nga klubi duket i pashmangshëm.
Gjithsesi Sociedad mbetet një opsion i mirë, ku Januzaj kaloi kohën më të mirë të karrierës së tij. /Telegrafi/