Një gazetar amerikan i burgosur në Rusi i ka thënë familjes se nuk e ka humbur shpresën në letrën e parë që nga arrestimi në shtetin rus.
Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, u arrestua muajin e kaluar nga zyrtarët e agjencisë së sigurisë së Rusisë, duke e akuzuar atë për spiunazh – një akuzë që ai dhe qeveria amerikane e mohojnë, raporton skynews.
Në një letër të shkruar me dorë, të publikuar nga gazeta, 31-vjeçari tha se ishte optimist dhe bën shaka për ushqimin e burgut.
“Dua të them se nuk po i humb shpresat”, ka shkruar ai. “Unë lexoj. Ushtroj. Dhe po përpiqem të shkruaj. Ndoshta, më në fund, do të shkruaj diçka të mirë”.
Letra prej dy faqeve mbante datën 5 prill ndërsa familja e pranoi gjatë ditës së djeshme në Filadelfia.
“Nënë, ti, fatkeqësisht, për të mirë ose të keqe, më përgatite mirë për ushqimin e burgut”, vazhdoi ai, duke thënë se për mëngjes kishte zakonisht oriz me sos, drithëra me qumësht ose “kaçamak”.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetarit, por një gjë të tillë e ka refuzuar Kremlini. /Telegrafi/