Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka thënë se ai do të vendosë për veprimet e mundshme kundër Sirisë brenda 24-48 orëve, në përgjigje të raporteve të një sulmi të dyshuar kimik në Douma, Ghoutan Lindore.
Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Trump premtoi një përgjigje të shpejtë ndaj sulmit në fjalë, duke thënë se “kjo ka të bëjë me njerëzimin dhe nuk mund të lejohet të ndodhë”.
Deklaratat e tij i vijnë pas deklaratave të mëparshme të sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis.
Kur u pyet nga një gazetar nëse SHBA-të po shqyrtojnë sulme ushtarake kundër Sirisë, Mattis u përgjigj se ai “nuk do të përjashtonte asgjë tani”.
Të dielën, Trump shkroi në Twitter se do të ketë një “çmim të madh për të paguar” për sulmin e dyshuar.
Ndërsa Moska thotë se akuzat kundër Damaskut shërbejnë si një provokim i pabazë.
Ajo ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak i marrë për t’iu përgjigjur incidentit të pretenduar do të kishte “pasoja të tmerrshme”.
Po siç kujtojnë mediat, Trump përdorte një gjuhë të ngjashme pas një sulmi të dyshuar kimik që u krye në provincën Idlib në prillin e kaluar.
Ai më vonë urdhëroi një sulm me raketa Tomahawk kundër një baze ajrore siriane në Homs.
Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë të lëshuar të hënën se viktimat e sulmit të dyshuar në Douma treguan simptoma të ekspozimit ndaj një agjenti nervor dhe i bëri thirrje Sirisë dhe Rusisë të hapnin zonën ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë.
E hëna gjithashtu shënon ditën e parë të John Bolton si këshilltar i ri i Trump për sigurinë kombëtare.
Bolton, një ish-ambasador i kohës së Bushit në OKB, ka qenë një përkrahës i përfshirjes më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/