Raportet e Auditorit të Përgjithshëm, të prezantuara në Kuvendin e Kosovës, kanë paraqitur shpesh herë parregullsi në raportet financiare të institucioneve të ndryshme, derisa vazhdimisht rekomandimet në institucione po përsëritën nga viti në vit.
Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, ka thënë se nuk janë të kënaqur me shkallën e zbatimit të rekomandimeve nga institucionet.
Sipas tij, komunat janë ato të cilat kanë ngecur më shumë në zbatim të rekomandimeve.
“Realisht krejt rezultati i një institucioni suprem të auditimit matet me ndikimin që ka në publik dhe shoqëri, fatkeqësisht ne nuk jemi të kënaqur me shkallën e zbatimit të rekomandimeve nga ana e institucioneve. Vazhdon që të jetë një përqindje e ultë e cila nuk kalon në nivel nacional më shumë se rreth 40%, derisa vazhdon të jetë mjaft e varfër sa i përket institucionet vetëqeverisëse lokale, derisa kemi një përmirësim substancial sa i përket institucioneve të pavarura”, tha Osmani, në një intervistë për Ekonomia Online.
“Ndoshta kjo është edhe tema e cila e ka karakterizuar këtë vit edhe përpjekjet tona edhe të Kuvendit edhe të subjekteve të auditimit. Besoj që sipas gjitha gjasave do të jetë një ndër temat qendrore se si mund ta përmirësojmë gjendjen më tutje dhe kjo është arsyeja pse ne kemi bë një strategji të veçantë dhe jemi duke përpiluar një program të masave që të bëjmë aktivitete dhe pas publikimit të raportit të auditimit në mënyrë që subjektet e auditume t’i ndihmojmë ta përmirësojmë këtë situatë”, tha ai.
Ai ka thënë se komuniteti i donatorëve kanë vendosur kritere për përfituesit e ndihmave dhe një nga to është edhe opinioni i Auditorit të Përgjithshëm.
“Megjithatë, ne kemi një përparim me komunitetin e donatorëve sepse shumica e donatorëve në bashkëpunim me qeverinë dhe institucionin tonë, tani kanë vënë disa kritere për përfituesit e ndihmave të donatorëve, dhe njëra prej tyre është opinioni i Auditorit të Përgjithshëm, shkalla e zbatimit apo përdorimit të buxhetit dhe shkalla e zbatimit të rekomandimeve”, tha ai.
“Kur këto kritere tu i pas për bazë edhe shumë kritere tjera të rëndësishme dhe dalin me rezultate negative atëherë krerët e institucioneve dhe institucionet mund të humbin fonde që fatkeqësisht mund të humbin fonde që fatkeqësisht nuk është mirë për qytetarët por ndoshta është një shembull i mirë për treguesit e disa krerëve të institucioneve nuk janë mjaftueshëm efektiv në mënyrë që të përmirësojnë mënyrën e qeverisës”, tha ai.
Ndërkaq lidhur me fillimin e fazës së re të auditimit për vitin 2018 ai ka thënë se deri në mars të vitit të ardhshëm do të përfundojnë.
Osmani tutje ka folur edhe për auditimin e politikave qeveritare për krijimin e vendeve të reja të punës, ku ka thënë se ka shpërputhje mes strategjive dhe buxhetit që jepet për zbatimin e këtyre strategjive.