Telegrafi

“Nuk pendohem”, Santos tregon pse vendosi ta lë Ronaldon në bankinë edhe kundër Marokut

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka thënë se nuk do ta ndryshonte vendimin e tij për të lënë Cristiano Ronaldon në stol edhe pasi ekipi i tij u eliminua nga Kupa e Botës “Katar 2022” për shkak të humbjes 1-0 kundër Marokut në ndeshjen e tyre çerekfinale.

Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Portugalisë me 118 gola në 195 paraqitje, Ronaldo u la në stol për fitoren 6-1 të së martës ndaj Zvicrës në raundin e 18-tës, ku 21-vjeçari Ramos shënoi het-trik vetëm në paraqitjen e tij të katërt.

Santos vendosi t’ia besoj Ramosit përsëri një fanellë titullari në ndeshjen e sotme (e shtunë) ndaj Marokut, duke e lënë Ronaldon përsëri në bankinë.

Pas humbjes 1-0 nga Maroku, Ronaldo u largua nga fusha pas vërshëllimës së fundit duke qarë në mënyrë të vrullshme ndërsa ngushëllohej nga shokët e tij të skuadrës.

“Nuk pendohem që e lashë Ronaldon në stol”, ka thënë fillimisht trajneri Santos pas humbjes nga Maroku.

“Nuk do të ndryshonte asgjë, për sa i përket ekipit nuk mund të mendoj me zemër”.

“Unë përdora skuadrën që luajti shumë mirë kundër Zvicrës dhe nuk kishte asnjë arsye për ta ndryshuar atë kundër Marokut”.

“Vendimi strategjik që duhej të merrja ishte një nga më të vështirët, por nuk mund të mendoj me zemër, duhet të mendoj me kokën time”.

“Nuk është se Ronaldo nuk është më një lojtar i madh, kjo nuk ka të bëjë fare me të”, përfundoi trajneri i Portugalisë. /Telegrafi/