Telegrafi

Nuk pajtohen për pagën minimale

Të gjithë pajtohen se për shkak të ngritjes së kostos së jetesës, inflacionit dhe faktorëve të tjerë duhet të bëhet ngritja e pagës aktuale minimale. Por mospajtimet kanë të bëjnë me shumën se sa kërkohet.

Zyrtarët e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe të Konfederatave të Lira të Kosovës (KSLK) kërkojnë që paga minimale të jetë në shumën prej 250 euro.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi tha se kjo është e shënuar edhe në ligjin e punës. “Paga minimale në Kosovë duke e krahasuar rajonin dhe të gjitha shtrenjtimit, inflacionin dhe faktorët e tjerë duhet të jetë 250 euro. Rajoni i ka edhe më të mëdha. Por duhet shikuar edhe ligjin e punës, edhe aty shkruhet se paga minimale duhet të jetë 250 euro me mundësi diskutimi”, tha Arifi.

Por me këtë nuk pajtohen punëdhënësit, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, kërkon që të mos miratohet një pagë minimale e cila do të jetë e pazbatueshme. “Të gjithë po pajtohemi që në Kosovë duhet të rriten pagat, por këtë duhet bazuar në fakte. Kosova dhe bizneset e saj po kalojnë në një krizë, andaj ne nuk duhet të ngarkojmë atë çfarë nuk mund të bëhet”, tha ai. Sipas tij, paga minimale nuk duhet të jetë më shumë se 170 euro.

Anëtarët e Këshillit Ekonomik Social u pajtuan me propozimin e kryesuesit të Këshillit Nenad Rashiq, që për këtë të diskutojnë sërish në mbledhjen e ardhshme. /Telegrafi/