Shqipëria suksesin më të madh të arrirë në “Eurovision” vazhdon ta ketë me këngën “Suus”.
Këtë këngë, këngëtarja nga Kosova, e kishte interpretuar në vitin 2012, nga ku edhe kishte arritur të renditet e pesta në natën finale.
Duke qenë një këngë e vështirë për tu kënduar dhe që kërkon shtrirje të madhe vokale, duket se “Suus” mbetet ndër të preferuarat për të shfaqur talentin në një talent-show.
Kështu së paku bëjnë me dije ‘coverat’ që gjenden në YouTube, në të cilat shfaqen artistë të rinj nga vende të ndryshme që e këndojnë vazhdimisht këtë këngë në kompeticione.
Po të shikosh me vëmendje, kjo këngë është ndër më të preferuarat e talent show-ve në Rumani.
Një vajzë nga Rumania e quajtur Jasmine, arriti të rrëmbejë duartrokitje më të zjarrta nga publiku pasi këndoi këngën “Suus” në një festival të njohur për fëmijë në Navodari.
https://www.youtube.com/watch?v=cRNCu0ZgA7k
Alexe Eduard-Alexandru është një tjetër djalë nga Rumania që ka marrë pjesë në spektaklin “Vocea Prahovei 2017”, ku kishte kënduar të njëjtën këngë. Kjo performancë u pëlqye shumë, pasi të rralla janë rastet kur kënga “Suus” erdhi në një version mashkullor.
Ndërkohë Jessica Lazarescu në spektaklin “The Voice of Romania” këndoi gjithashtu këngën e Ronës, dhe e çuditshmja është se pavarësisht gjuhës, ajo ka arritur ta këndojë tekstin në mënyrë perfekte dhe të qartë. Kjo performancë është shikuar rreth 300 mijë herë në kanalin YouTube.
Afina Madoian e solli këngën shqipe në vitin 2014-të para publikut rumun në një kompeticion të njohur atje, dhe ishte pritur gjithashtu me duartrokitje të zjarrta nga publiku.
Kujtojmë që në “Eurovision 2012”, Rumania nuk i kishte dhënë as edhe një pikë Ronës për performancën e saj, por pavarësisht kësaj ata nuk kanë mundur t’ia humbasin vlerat e pamohueshme që ka kënga “Suus”. /Telegrafi/