Do të kemi një ndeshje të gjashtë finale, pasi Los Angeles Lakers nuk kanë arritur të marrin fitoren e katërt.
Ndeshja e pestë finale në elitën e basketbollit amerikan NBA i ka takuar Miami Heat me tri pikë diferencë, 108:111.
Ka qenë një ndeshje me përfundim dramatik, ku Heat morën fitoren e dytë (3-2) dhe mbajnë gjallë shpresat për ta rikthyer titullin.
Jimmy Butler ka vazhduar me paraqitje të jashtëzakonshme, teksa në 47 minuta lojë të zhvilluara ka arritur shifrën magjike të ‘Triple-Double’.
Butler e përfundoi takimin me 35 pikë, 12 kërcime, 11 asistime e pesë topa të vjedhur.
Me lojë të mirë te Heat u dallua edhe Duncan Robinson që shtoi 26 pikë, teksa me pikë dyshifrore ndeshjen e përfunduan edhe Nunn, Crowder, Adebayo dhe Herro.
Tek skuadra humbëse, LeBron James bëri një ndeshje të jashtëzakonshme me 40 pikë, 13 kërcime e shtatë asistime, por që nuk mjaftuan për fitoren e Lakers.
Ndeshja e gjashtë finale do të zhvillohet të hënën pas mesnatës ku Lakers me një fitore eventuale shpallen kampion të NBA-së. /Telegrafi/