Mos publikimi i rezultateve të hulumtimit për vajin e palmës si dhe mos marrja e masave nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), po konsiderohet si e qëllimshme nga fermerët. Ata kanë treguar se për shkak të mos marrjes së masave mbrojtëse për të penguar importin e vajit të palmës është duke u rrezikuar industria vendore e qumështit. Përveç numrit të krerëve të lopëve qumështore ka renë edhe sasia e qumështit ditorë të prodhuar.
Kryetari i Shoqatës se Fermerëve Kosovarë të Qumështit, Besim Kuqi ka thënë se për shkak të produkteve nga importi dhe vaji i palmës ka renë numri i krerëve të lopëve, e po ashtu edhe sasia e prodhimit të qumështit ditorë.
Sipas tij, mos marrja e masave për të penguar importin e vajit të palmës është nxitje e importit të tij.
“Mos marrja e masave nga MTI dhe institucionet e tjera është e papranueshme, pasi që importi iv ajit të palmës është duke rrezikuar industrinë vendore të qumështit”, tha ai.
Kuqi ka treguar se për shkak të sasisë së importit të vajit të palmës ka rëndë edhe sasia e prodhimit ditorë të qumështit nëpër ferma. “Vite më parë në Kosovë, fermerët kanë prodhuar deri në 300 mijë litra qumësht brenda një dite, ndërsa sot ata prodhojnë vetëm rreth 200 mijë litra, krejt kjo për shkak të pengesave që u bëhen nga importi i vajit të palmës”, tha kryetari i Shoqatës se Fermerëve Kosovarë të Qumështit, Besim Kuqi.
Kurse, në një hulumtim të tregut të cilin e ka bërë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka propozuar që të nisin hetimet për importin e vajit të palmës në Kosovë, pasi në 3 vjetët e fundit, importi i këtij produkti ka shënuar rritje të madhe, shkruan Telegrafi.
Sasia e importit për gati tri vjet, 2015 – 2018, është rritur me shifra të frikshme. Në dokumentet e MTI-së i cili ende nuk është zyrtarë thuhet se një import i tillë duhet të ndalet.
“Një trend i tillë i importit të këtij produkti është mjaft shqetësues për vendin, pasi që duke i krahasuar importuesit specifikë të këtij produkti, vërehet se pjesa më e madhe e tyre janë përpunues të qumështit. Edhe shifrat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, flasin për një rënie drastike të bagëtive për ekonomitë familjare në pjesët rurale të vendit”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
Ky hetim i brendshëm i cili nuk është ende zyrtarë, ka përfunduar në fund të korrikut, pas kërkesës së Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit dhe Fermerëve të Qumështit të Kosovës. Dokumenti saktëson se pas rritjes së importit të vajit të palmës, prodhimtaria vendore e qumështit ka pasur rënie për 30 për qind.
Por në MTI nuk kanë treguar se pse ende nuk kanë marrë masa konkrete për të ndalur importin e vajit të palmës.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinarisë (AUV), kanë thënë se edhe me Ligjin për Ushqimin, kanë mandat për kontrollin kufitar të produkteve ushqimore, varësisht nga kodi doganor ato i nënshtrohen kontrollit veterinar apo fitosanitar në kufi.
“Vajrat bimore të cilat importohen në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe vajin e palmës, iu nënshtrohet kontrolleve fitosanitare në pikat e kontrolleve kufitare të Republikës së Kosovës. Këto kontrolle janë të përcaktuara me norma ligjore dhe përbëjnë një seri veprimesh me të cilat parandalohet dhe pamundësohet importi i çdo produkti ushqimorë i cili nuk është i përshtatshëm për konsumim apo i rrezikshëm për shëndetit e njeriut, kafshëve apo bimëve”, ka thënë zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi.
Sipas tij, gjatë kontrolleve kufitare , shikohet vlefshmëria e certifikatës së produktit me të cilën garantohet siguria e tij.
“Po ashtu realizohet edhe kontrolli fizik i çdo ngarkese për tu verifikuar autenticiteti i ngarkesës me certifikatën, dhe së fundi, edhe testimi laboratorik përmes së cilave verifikohet edhe siguria e atyre produkteve, tha ai.
Zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi, ka thënë se në Kosovë nuk ka ndalesë të përdorimit të vajit të palmës. “Deri më tash, nuk ekziston ndalesë e përdorimit të vajit të palmës nga asnjë institucion ndërkombëtarë , si Evropian ashtu edhe botërorë në bazë të së cilave edhe AUV do të mund të ndërmerrte veprime të menjëhershme për ndalimin e përdorimit ose importit”, tha ai.
Ai ka treguar se AUV, realizon edhe kontrollet tek operatorët e bizneseve me ushqim lidhur me sigurinë e produkteve ushqimore , higjienës së produkteve e edhe të përdorimit të vajit të palmës.
Ndryshe, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vetëm për nëntë muajt të vitit 2018, importi i vajit të palmës e kalon shifrën prej mbi 2 milionë kilogramë.
“Në përudhën 1 janar-30 shtator 2018, janë importuar 2,206,652.50 kilogram vaj palme në vlerë prej 1,711,974.90 euro”, ka treguar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Sipas tij, vaji i palmës i cili hyn në Kosovë, importohet nga Gjermania, Kroacia, Indonezia, Italia, Malajzia, Holanda dhe Turqia. /Telegrafi/