Site icon Telegrafi

Nuk mbahet mbledhja e Komisionit hetimor për gylenistët, mungojnë presidenti dhe kryeministri

Mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq ka dështuar të mbahet pasi që deputetët anëtarë të këtij komisioni nuk kanë arritur të dakordohen rreth rendit të ditës.

Në rend të ditës në këtë komision ka qenë raportimi i presidentit dhe kryeministrit të Kosovës.

Deputetja e PDK, Ganimete Musliu, ka kërkuar që të hiqen raportimi i presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Tek intervistimi duhet të bëhet një ndryshim, pasi kryeministri dhe presidenti nuk janë këtu. Presidenti është në SHBA dhe kryeministri është në mbledhje të dy qeverive në Pejë”, tha Musliu.

Edhe deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, pati një kërkesë të tillë.

“Besoj që kemi gabuar nuk e kemi menduar i heqim këta dy kandidatë  dhe e lënë vetëm sekretarin”, tha Nitaj.

Megjithatë deputetët e partive opozitare ishin që të mos largoheshin nga rendi i ditës dhe të diskutoheshin përgjigjet që kanë marrë.

Driton Selmanaj, i LDK, tha se duhet të diskutohen përgjigjet nga presidenti dhe kryeministri. “Ne duhet ta miratojmë rendin e ditës kështu siç është, t’i trajtojmë përgjigjet që kemi marrë. Nuk mundemi ne t’i japim arsyetimet”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj tha Komisioni do të duhej t’i kërkonte falje kryeministrit që e ka ftuar të raportojë sot kur e ka pasur të paracaktuar një ngjarje që tre muaj.

“Është tendencioze t’i themi mbylle atë mbledhje dhe eja këtu”, tha ai.

Kurse deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se po bëhet vetëm kinse po punohet. “Mos të bëjmë vetëm këtu  kishe po punojmë. Konsideroj se duhet të hiqet presidenti dhe kryeministri nga rendi i ditës”, tha Beqa.

Ndërsa, deputeti Nitaj e ka vlerësuar shumë qesharake që për një gjë që është  e ditur të votohet në komisionin.

“Ju e keni ditur se kryeministri ka mbledhjen e dy qeverive dhe e dini që nuk mund të jetë në të njëjtën kohë në dy vende”, tha Nitaj.

Kryetari i komisionit Xhelal Sveçla, tha se kryeministri ka treguar se nuk do të jetë, ndërsa nga presidenti nuk kanë marrë njoftim.

“Është e papranueshme që komisioni me i kërku falje dikujt për diçka ligjore. Ne në mbledhjen e ardhshme do ta ftojmë prapë kryeministrin. Kemi dërguar kërkesën na ka ardhur njoftimi, te tjetri kemi dërguar njoftimin nuk kemi marrë asgjë”, tha Sveçla.

Për këtë reagoi deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj.

“Nëse ju e keni marrë një përgjigje nga kryeministri se nuk do të jetë këtu, pse e keni lënë në rend të ditës”, tha ai.

Përplasje me fjalë ka pasur edhe në mes deputetit të PDK Hajdar Beqa me kryetarin e komisionit, Xhelal Sveçla e deputetin Sami Kurteshi.

Deputetja e PDK, Ganimete Musliu dhe ai i AAK-së, Muharrem Nitaj e kanë lëshuar mbledhjen. Në fund nuk ka marrë vota as propozimi i deputetes Musliu.

Për rastin e tre shtetasve turq në raportim sot përveç presidentit dhe kryeministrit ishte i ftuar sekretari i MPB-së Lulzim Ejupi.

Foto: Arkiv

Exit mobile version