Disa punëtorë të kombinatit “Trepça” janë duke bojkotuar punën për shkak se nuk i kanë marrë pagat e muajit shkurt, ndërsa edhe pagat e janarit nuk u janë paguar të plota afër gjysmës së tyre.
Menaxheri i përgjithshëm i “Trepçës”, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se për kundër rritjes së prodhimit ka vështirësi në shitjen e mineraleve në mënyrë që të sigurohen pagat për punëtorët.
“Përkundër që e kemi rritur prodhimin për 30 për qind, ne nuk po mund t’i mbulojmë pagat për muajin shkurt dhe një pjesë për muajin janar. Ne jemi të interesuar që ta shpallim edhe një tender për shtijën e metaleve”, tha Ibrahimi.
Ai ka shtuar se shumë shpejtë do të bëhet pagesa ndaj tyre.
“Ne po shpresojmë që shumë shpejtë ta bëjmë pagesën për këta punëtorë dhe me këtë rast i bëjmë apel Qeverisë së Kosovës që të na ndihmojë në këtë drejtim”, shtoi ai.
Kjo nuk është hera e parë që këta punëtorë hyjnë në grevë për vonesë të pagave.
Kujtojmë se “Trepça” është shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse pjesa tjetër e aksioneve janë të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje. /Telegrafi/