Site icon Telegrafi

NUK MA LEJON EDUKATA …

Nga: Aziz Nesin
Përktheu: Mërkur Alimerko

Ah, ti i poshtër! … Nuk po kuptoja pse më shante ajo grua. Desha ta pyes: “Më falni, ç’ju kam bërë?” Por, e mbajta veten. Edhe shikon, pa le! Ta tregoja qejfin, por s’ma lejon edukata.

Autobusi ishte plot e përplot. Të gjithë m’i kishin mbërthyer sytë. Vendosa më mirë të mos flisja. Mirëpo, gruaja nuk e mbyllte gojën:

– Njeri pa cipë! … Arrogant ! … I poshtër ! … Ku e di ai ç’është edukata! Menjëherë shihet se ç’njeri është!.. Nja dy herë desh i thashë: “Madam, ju lutem, mbajeni veten!” Por, prapë u përmbajta. Ptu, turiderr! Vetëm edukata ime, pa ta tregoja qejfin …

U dëgjuan qortime:

– Turp! Ç’janë këto sjellje me gratë?

– Ç’bëni?

– Me siguri e ka shtrënguar. Mbase i ka shkelur këmbën?

– Ku e dini ju, mbase u ka dhënë liri duarve …

Po të ndalonte autobusi do kisha zbritur. Kurse grua ja grinte pa pushim. Provo e mbaje …

– I paturpshëm! Nuk di të sillet mirë! S’merr vesh se ç’janë gratë! Ç’t’i bëj edukatës që s’ma lejon, pa ta tregoja unë ty! …

E bela! … Hajde de t’i kisha bërë gjë! … U bëfsha gur në e preka as me gishtin e vogël … Po edhe ta kisha prekur, unë ç’faj kisha? Në autobus të shtyrin nga të gjitha anët …

– Edepsëz! Thuaj faleminderit që re me një grua të edukuar. Ndryshe …

Unë u bëra ujë në djersë.

– Këta maskarenj hipin me qëllim kur është autobusi plot … Unë ty … Fati yt që jam grua me edukatë …

Dukej sikur nuk po duroja më. Edhe gur po të isha, do të kisha plasur.

– Fati yt që jam grua me edukatë. Ndryshe të punoja qindin.

Në gjithë atë kallaballëk asnjë s’mbajti krahun tim. Të gjithë përkrahën atë:

– Me siguri do t’i ketë rënë më qafë.

– Sido që të thotë, ajo ka të drejtë!

– E mbushi kupën!

Gruaja në vend që të qetësohej, bërtiste akoma me zë më të lartë:

– Ah, ti i poshtër! Ah, maskara! Po të të ketë vajtur kaq shumë në tru, të jap një adresë dhe shko atje … E kuptove? Për Zotin, ç’t’i bëj edukatës sime …

Tani e teproi. I kaloi të gjithë kufijtë. Duke shtyrë me bërryla hapa rrugën, iu afrova gruas dhe e kapa nga krahu:

– Madam – i thashë – më thoni, ju lutem, çfarë ju bëra?

Gruaja qeshi me të madhe:

– Njerëz, shikoni këtë surrat të mjerë e tullac! Edhe ky e mban veten për burrë. Nga na dole ti? Pse burrë je ti? Ty të fola unë? Hë, ç’gjë që të këllet krupën! Hiqu, or zgjebe! S’të foli njeri ty. I flas atij simpatikut të ri atje …

Autobusi ndaloi në sheshin Taksim. Nuk më kujtohet si zbrita. Ndërsa gruaja vazhdonte të thërriste:

– Matufi! Pandehu se flisja për të … S’ma lejon edukata, do dija unë si t’i përgjigjesha!

S’ka më keq se kjo moshë. Edhe gratë të shajnë …

 

Exit mobile version