Derisa në zgjedhjet parlamentare, qytetarët mund të votojnë me kusht edhe jashtë komunave ku janë regjistruar si votues, e njëjta nuk është e mundur edhe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se votimi me kusht në Zgjedhje Lokale është i mundur, por vetëm brenda komunës, aty ku qytetari është votues.
“Në Zgjedhje Lokale çdo komunë është një zonë e veçantë zgjedhore, dhe nuk është sikur në zgjedhjet Parlamentare ku e gjithë Kosova është një zonë e vetme zgjedhore”, tha Elezi për Telegrafin.
Ndryshe, sipas ligjit, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune mbahet nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind, plus një votë, të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë.
KQZ-ja e organizon raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, në mes të dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota të vlefshme në raundin e parë.
Në balotazh, kryetar i Komunës zgjidhet kandidati i cili fiton shumicën e votave në këtë rreth votimi. /Telegrafi/