Telegrafi

Nuk i largonte sytë nga telefoni derisa po kalonte rrugën, i riu nga Peruja bie në pusetë (Video)

Telefonat e mençur janë bërë pjesë e pandashme e njerëzve e në veçanti e rinisë, që nuk mund ta imagjinojnë jetën pa rrjete sociale dhe lojërat e ndryshme që i luajnë në grupe.

Megjithatë përdorimi i tepërt dhe i vend e pavend i telefonit mobil, nganjëherë mund të na kushtojë me lëndim por edhe me jetë, nëse jeni prapa timonit duke lëvizur me shpejtësi të madhe dhe shpërqendroheni nga bisedat telefonike, transmeton Telegrafi.

Se përdorimi i tepërt i telefonave e sidomos kur ecni nëpër rrugë është i rrezikshëm e dëshmon rasti i Luis Alberto Berdeho nga Peruja, i cili ishte përqendruar në telefon dhe assesi nuk shikonte se ku po shkelte dhe çfarë mund të kishte para vetes.

Në një moment ai derisa po kalonte rrugën hasë në një pusetë brenda të cilës bie, kurse kamerat e sigurisë e kanë filmuar këtë moment rrëqethës. Megjithatë, pasi është dëgjuar duke kërkuar ndihmë, ai është nxjerrë nga ekipet e zjarrfikësve që ishin lajmëruar nga kalimtarët e rastit.

Ai është dërguar me urgjencë në spital për tretman, ku është konstatuar se nuk ka pësuar ndonjë lëndim serioz. Megjithatë ky rast do t’i shërbej si leksion për herët tjera, që të jetë më i kujdesshëm me telefon kur e kalon rrugën. /Telegrafi/