Telegrafi

Nuk kthehet Spaqi, Jeton Nixha trajner i KB Rahovecit?

Duket se rezitenca e tifozëve dhe qyetarëve të Rahovecit nuk ka hasur në mirëkuptimin e klubit të basketbollit të këtij qyteti, kryesia e të cilit tashmë ka vendosur për trajnerin e ri.

Jeton Nixha, ish-trajner i Vëllaznimit dhe Kastriotit do të marrë nën drejtim klubin e ri të Superligës, që përjetoi suksesin historik me Valentin Spaqin, i cili për herë të parë kualifikoi në elitën e basketbollit klubin nga qyteti i rrushit.

Largimi i Spaqit i shumëpërfolur në media për mospajtimet mes kryesisë dhe tij, me teknikun që ka thënë për Telegrafin se është detyruar të largohet për shkak të pagës së njëjtë të ofruar me sezonin e kaluar, ka kulmuar me ngritje masive të qytetarëve dhe tifozëve të Rahovecit, të cilët kërkuan kthimin e Spaqit.

Madje tifozët e klubit nga Rahoveci paralajmëruan edhe bojkot, por për këtë nuk ishin në disponim udhëheqësist e klubit të cilët sipas mediave lokale në Rahovec injoruan të gjithë dhe emëruan trajnerin e ri.

Nixha do të marrë KB Rahovecin në një sfidë mjaft të madhe të rindërtimit të skuadrës, me shumë lojtarë që ende s’janë konfirmuar për sezonin e ri dhe shumë të tjerë që kërkohen nga skuadra tjera të Superligës.

Zyrtarizimi pritet të bëhet të hënën. /Telegrafi/