Telegrafi

Nuk korrte suksese, Putin zëvendësoi një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin shkarkoi Dmitry Rogozin nga kreu i korporatës shtetërore “Roscosmos” dhe në këtë post solli ish-zëvendëskryeministrin e Rusisë, Yuri Borisov.

Dekreti u publikua në faqen e internetit të Kremlinit, raporton deutschewelle.

“Yuri Borisov emërohet si drejtor të përgjithshëm të Korporatës Shtetërore për Aktivitetin Hapësinor “Roskosmos. Dekreti hyn në fuqi nga dita e nënshkrimit”, thuhet në dokument.

Putin e shkarkoi Borisovin nga detyrat si zëvendëskryeministër i Rusisë.

Udhëheqësi rus nënshkroi gjithashtu një dekret për të bërë ndryshime në strukturën e organeve ekzekutive federale – në vend të 11 zëvendëskryeministrave, do të ketë 10, u njoftua në faqen e internetit të Kremlinit.

Rogozin është në krye të “Roscosmos” që prej 24 majit të vitit 2018. Para kësaj, ai mbante postin e Zëvendëskryeministrit të Qeverisë Ruse për Kompleksin Ushtarak-Industrial. Pas emërimit të Rogozin në krye të “Roscosmos”, Borisov mori atë post.

Përpara se të emërohej në postin e zëvendëskryeministrit, Yuri Borisov ishte zëvendësministër i Mbrojtjes që nga viti 2012. /Telegrafi/