Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, nuk është konstituuar këtë të mërkurë, siç ishte paraparë.
Lajmin e ka bërë të ditur deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në Komision.
“Isha në Komision Hetimor në Kuvend për Rezervat Shtetërore (SKANDALI i vajit, miellit etj). Deputetët e VV-së nuk erdhën. Komisioni nuk u konstituua. Mundësinë e radhës e kanë në orën 15:00, sepse ne nuk heqim dorë!”, ka shkruar ajo në Facebook.
Në një seancë të mbajtur rreth dy javë më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë themeluar Komisionin Hetimor për rezervat shtetërore.
Kjo iniciativë ka ardhur nga opozita pas dyshimeve të bazuara për abuzimet e mundshme lidhur me procesin e furnizimit të rezervës shtetërore, që është kompetencë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, drejtuar nga Rozeta Hajdari.
Kryesues i Komisionit do të jetë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj. /Telegrafi/