Site icon Telegrafi

Sot dhe nesër nuk do ketë transport të udhëtarëve në vend

Foto: Arkiv

Nga dita e mërkurë, për dy ditë nuk do të ketë transport të udhëtarëve në gjithë vendin për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve dhe Qeverisë së Kosovës për subvencionin e operatorëve në këtë sektor.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar kryetari i SHTU-së, Ruzhdi Kurtishaj duke shtuar se, operatorët presin të mbështetën nga institucionet për shkak të humbjeve nga pandemia COVID-19.

“Këshilli drejtues i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës ka marr vendim që të hyjë në grevë, përkatësisht protestë për shkak të moszbatimit të marrëveshjes për mbështetje, përkatësisht subvencionim të operatorëve rrugorë. Andaj, në zbatim të këtij vendimi, nga nesër [e mërkurë] operatorët e transportit të udhëtarëve do të hyjnë në grevë për dy ditë dhe nuk do të kenë mundësi që udhëtarët të udhëtojnë nëse nuk zbatohet marrëveshja”, tha Kurtishaj.

Ai ka shtuar se, nëse Qeveria e zbaton marrëveshjen atëherë do të pezullohet greva.

“Autobusët do të qëndrojnë në perone por nuk do të lëvizin në drejtim të Prishtinës apo prej qytetit në qytet. Ndërkaq, Këshilli Drejtues nesër [e mërkurë] e ka një takim për të përcjellë gjendjen. Ndoshta, qeveria do të reflektojë dhe nëse kjo ndodhë, atëherë ne grevën e pezullojmë, por nëse qeveria nuk reflekton greva është e pashmangshme”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version