Jose Mourinho u dënua me katër ndeshje në Evropë për fyerje ndaj Anthony Taylor, i cili referoi finalen e Ligës së Evropës ndërmjet Romës dhe Sevillës.
Pas humbjes, portugezi u filmua duke i bërtitur gjyqtarit në parkingun e stadiumit: “Ti ishe një turp i ndyrë sonte”.
Dy muaj pas atij incidenti, Special One refuzon të marrë fajin – ai thotë se nuk ishte as Taylor që po bërtiste.
Mourinho citohet nga The Athletic: “Taylor nuk ishte aty. Taylor ishte ende në fushë. (Ishin) njerëz të tjerë, jo Taylor. Zyrtari i katërt, ndihmësit e tij, Rosetti, Howard Webb, drejtori teknik i organizatës së gjyqtarëve”.
“Gjithçka përfundon, ne kthehemi në dhomën e zhveshjes, unë shkoj në parking dhe ekipi i arbitrave hyn. Unë kam një marrëdhënie të mirë me Webb dhe Rosetti. Ata të dy i kanë gjykuar ndeshjet e mia. E di që nuk ishte elegante, por nuk ofendova askënd”.
“Unë shkova te Rosetti dhe i thashë: ‘Ref’ – kështu e quaj unë – ‘Ref, është një penallti apo nuk është një penallti (Mourinho i referohet një prej skenave nga finalja)? Rosetti bëri atë që bëjnë zakonisht gjyqtarët. Ai nuk u përgjigj. Të njëjtën pyetje i bëra Webbit. Më vuri dorën mbi supe dhe më tha: ‘Po, Jose, është një gabim'”.
“Webb bëri atë që unë do të doja që Taylor të bënte. Sepse nëse Taylor, ose dikush tjetër në vend të tij, do të kishte ardhur në dhomën tonë të zhveshjes dhe do të thoshte: ‘E kuptova gabim, bëmë një gabim, më fal’, nuk do të kishte përfunduar me kaq, ai do të kishte respektin dhe admirimin tonë”.
“Unë kurrë nuk e kam vënë në dyshim integritetin e tij. Nuk më pëlqeu vendimi i tij, kartonët, por vazhdoj të mendoj se ai është një gjyqtar shumë i mirë dhe nëse e përballim përsëri sezonin e ardhshëm, do të jem i sinqertë, nuk do të ketë asnjë probleme”, ka shtuar më tej Mourinho.
Si për kujtesë, Taylor u përball me një breshëri abuzimi në aeroportin e Budapestit, pasi tifozët e zemëruar të Romës e sulmuan verbalisht dhe fizikisht atë dhe vajzën e tij. /Telegrafi/