Një tërmet prej 6.4 shkallë të rihterit ka goditur mëngjesin e sotëm në Durrës, ku si pasojë deri më tani janë konfirmuar tetë viktima dhe qindra të lënduar.
Tërmeti ka shkaktuar edhe dëme të shumta materiale, ndërkaq lëkundjet u ndjenë edhe në Kosovë. Por, pavarësisht gjendjes, njëzetë minuta pas lëkundjeve të tërmetit në një spital të Shqipërisë në jetë erdhën binjakë.
Sipas raportimeve të “Euronews”, pavarësisht dëmtimeve që u shkaktuan në spital nga lëkundjet e tokës, mjekët nuk pranuan që të largoheshin së bashku me pacientët, duke bërë kështu të mundur lindjen e binjakëve.
Lindjen e tyre e ka konfirmuar edhe mjekja Anika N. Dokle përmes një postimi në Facebook. “Unë dhe shokët e mi edhe këtë herë në maternitet. Këta bebusha binjakë lindën 20 minuta pas tërmetit. Kjo është simbolika më e mirë e vijimësisë së jetës. Nuk kam më fjalë!”, ka shkruar ajo.
Duhet theksuar se pas tërmetit 6.4 edhe një tjetër tërmet goditi Shqipërinë e që ishte 5.4 shkallë rihter. /Telegrafi/
https://twitter.com/EuronewsAlbania/status/1199258392608563200