Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga kryetari Bekë Berisha, u shqyrtua në parim Projektligji për Pensionet e Zyrtarëve Policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, si nismë legjislative, e iniciuar nga deputetja Ganimete Musliu dhe tetë deputetë tjerë nga grupi parlamentar i PDK-së.
Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, sqaroi se projektligji është dërguar për mendim në Qeveri, mirëpo qeveria nuk ka kthyer ndonjë mendim, andaj sipas Rregullores së Kuvendit projektligji mund të fillojë shqyrtimin në komisionin përkatës.
Prezantimin e Projektligjit e bëri deputetja Ganimete Musliu, e cila pasi foli për domosdoshmërinë e këtij projektligji dhe qëllimin e tij, shtoi se me këtë projektligj parashihet që policët të kenë pensionim të dinjitetshëm.
Për projektligjin foli edhe zv/kryetari i komisionit, Enver Dugolli.
“Sponsorizuesi apo deputetët e PDK-së që kanë filluar këtë nismë është dashur të merren vesh dhe të inkurajojnë edhe deputetët e PDK-së që fillimisht ta votonin marrëveshjen ndërkombëtare për financimin e një projekti për skemat sociale dhe pensionale, me çka do të hapej rruga edhe qeveria të fillojë këtë nismë për komplet skemat pensionale, sepse ne që në fillim e kemi thënë, siç kemi thënë edhe do ta bëjmë edhe Ligjin për pensionim edhe për Policinë e Kosovës”, theksoi Dugolli.
Mirëpo, pas shterimit të diskutimit, kryetari Berisha e hodhi në votim propozimin për procedim të Projektligjit në shqyrtim të parë në seancë të Kuvendit dhe në votim morën pjesë vetëm pesë anëtarë të Komisionit.
Rrjedhimisht nuk pati vendimmarrje për këtë pikë./Telegrafi/