ADMOVERE e mbështetur nga KFOS ka publikuar raportin “Sfidat e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë gjatë pandemisë Covid-19”.
Me këtë rast u tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë të dhëna mbi përhapjen dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, te komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian.
Gjithashtu, nga hulumtimet e këtij raporti u bë e ditur se Ministria e Arsimit nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të këtyre komuniteteve kur ka filluar mësimi në distancë.
Nga organizata ADMOVERE, Durim Jasharaj, ka thënë se gjatë hulumtimit kanë hasur në vështirësi në identifikimin e personave të prekur me covid-19 nga këto komunitet, për shkak se siç ka thënë ai, Ministria e Shëndetësisë nuk i posedon këto të dhëna.
“Ministria e Shëndetësisë, ne kemi dërguar edhe email përveç që kemi hulumtua, përgjigja që na ka kthyer Ministria e Shëndetësisë ka qenë bukur e mangët. Në këtë rast ka kthyer përgjigje Naser Ramadani, duke thënë që “Ne i trajtojmë qytetarët mbi principin e barazisë dhe nuk i ndajmë sipas etnisë”, pra në pyetjen tonë se sa romë, ashkali dhe egjiptian janë të prekur nga covid-19, ata nuk kanë pasur asnjë statistikë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar, se këto komunitet nuk janë përfshirë as në pakon emergjente fiskale.
“Pakoja emergjente fiskale i ka gjithsej 15 masa, ne mundemi me fol më shumë për masën 9, ku thuhet se do të mbështetën iniciativat dhe projektet që kanë synim përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë. Mirëpo kjo masë ka pas telashe të mëdha, kur kemi diskutu me njerëz që mbrojnë të drejtat e komuniteteve kanë thënë që nuk është respektuar thirrja e konkursit për shkak se shumica e grantëve që janë nda nuk janë nda për ato organizata që e kanë theks punën e komunitetit rom, ashkali, egjiptian. Sa dimë na është pezulluar ky konkurs dhe tash më nuk dihet nëse diçka ka vepruar Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.
Kurse, nga po e njëjta organizatë, Aulonë Memeti, ka thënë se Ministria e Arsimit, nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të këtyre komuniteteve kur ka filluar mësimi në distancë.
“Nga 27 vendime të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin dhe parandalimin e Covid-19, është vetëm një vendim që lidhet me këto komunitete. Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK, nuk kanë të dhëna mbi përhapjen dhe menaxhimin e pandemisë së covid-19 te këto komunitete. Kur ne kemi kërkuar çasje në këto të dhëna janë thirrë në parimin e barazisë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të këtyre komuniteteve kur ka filluar mësimi në distancë, mungesa e internetit dhe pajisjeve teknologjike ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët në procesin edukativo arsimor në këto komuna të cilat ne i kemi hulumtuar”, ka thënë ajo.
Ky hulumtim është zhvilluar në komunën e Ferizajt, Fushë Kosovës dhe Lipjanit. /kp/Telegrafi/