Site icon Telegrafi

Nuk ka sinjal për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhevahire Izmaku, ka thënë se nuk ka asnjë sinjal real që këtë vit vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ajo ka bërë me dije se nëse nuk ka konsensus të përbashkët politik për të shkuar në zgjedhje, nuk ka ndonjë arsye të përfundojë para kohe mandati kushtetues.

“Ne duhet ta kultivojmë një kujtesë administrative, duke i çuar deri në fund mandatet e fituara”, është shprehur Izmaku në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Sa iu përket zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen këtë vit, Izmaku beson se PDK-ja do të forcohet me fitore të reja edhe në ato komuna të cilat i ka humbur në zgjedhjet e fundit.

Deputetja Izmaku, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie, ka thënë se gjatë këtij viti do të angazhohet për nxjerrjen e disa ligjeve të rëndësishme për vendin dhe institucionet.

Izmaku ka deklaruar se edhe këtë vit Kuvendi i Kosovës do të sfidohet me demarkacionin me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave.

Exit mobile version