Site icon Telegrafi

Nuk ka rinumërim të votave, PZAP hedh poshtë ankesat e PDK-së, LDK-së dhe Nismës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka njoftuar se janë hedhur si të palejuara ankesat e PDK-së, LDK-së dhe koalicionit Nisma-AKR-PD, për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, në seancën e mbajtur më datë 08.10.2019, ka shqyrtuar ankesat: Anr.350/2019, të paraqitur nga subjekti politik PDK, Anr.351/2019, e paraqitur nga subjekti politik LDK dhe Anr.353/2019, e paraqitur nga koalicioni NISMA-AKR-PD, të datës 07.10.2019, me të cilën kanë kërkuar që të urdhërohet KQZ-ja, që të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendim për të hudhur si të palejuara ankesat e larte theksuara”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.

Ndryshe sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia fituese është Vetëvendosje me 25.50 për qind të votave, e dyta radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 për qind. Partia Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me 11.67 për qind të votave, kurse Lista Serbe ka marrë 6.61 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar rinumërimin e të gjitha kutive të votimit në nivel vendi.

Kërkesa për rinumërim është bërë me pretendimin se ka pasur defekte nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka lënë një rubrikë mangët dhe  na janë bartë votat tek subjektet e tjera sidomos minoritare.

Sipas rezultateve preliminare, koalicioni NISMA-AKR nuk ka kaluar ende pragun zgjedhor. Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato nga diaspora./Telegrafi/

 

Exit mobile version