Telegrafi

Nuk ka përputhje mes sistemit arsimor dhe tregut të punës në Maqedoni

Papunësia gjithnjë mbetet në nivel të lartë, ndërsa kompanitë përballen me mungesë të kuadrit adekuat profesional. Kjo është pasojë e mungesës së një strategjie afatgjate që shkollat e mesme të prodhojnë kuadro adekuat për nevojat e tregut të punës, shkruan gazeta KOHA. Këtë e pohojnë edhe vet përfaqësues e sektorit të biznesit në Tetovë.

“Ne si veprimtari bazë kemi prodhimin e mobiljeve dhe e kemi vështirë që të gjejmë kuadër profesional. Ne deri më tash kemi mundur që të funksionojmë, por kërkojmë që në të ardhmen më shumë të rinj të përcaktohen edhe në këto drejtime, sidomos në zanatet, sepse ka nevojë, kurse kuadri mungon”, tha Asim Sejfullai, nga kompania New Design.

Kjo u theksua gjatë një konference me temë “Ndikimi i arsimit të mesëm profesional në zhvillimin ekonomik”, organizuar nga ana e Instituti për zhvillim ekonomik në Tetovë. Në këtë debat si problem kryesor është shtruar çështja e mungesës së kuadrit profesional në sektorin e biznesit. Këtë e theksojnë edhe kompanitë e mesme të Tetovës, të cilët nënvizojnë se mungon kuadër adekuat profesional i diplomuar. Në ndërkohë, organizatorët shprehen se edhe programi arsimor nuk është kompatibil me tregun e punës, prandaj edhe ky debat ka për qëllim që të përmirësojë këtë gjendje. “Në Tetovë ka mungesë të madhe të kuadrove profesionale, ndërsa problem është punësimi i të rinjve të cilët kanë përfunduar shkollim jo adekuat dhe vështirë mund të punësohen. Po ashtu në këtë drejtim mendoj se investimet e huaja mungojnë për shkak se nuk ka edhe kuadro profesional. Pra, në këtë drejtim edhe sistemi arsimor duhet të pësojë ndryshime, ku ne gjykojmë se gjimnazi duhet të reduktojë paralelet dhe t`u jepet rëndësi më shumë drejtimeve profesionale”, thotë Nexhat Bexheti. Ish kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri perëndimore, Menderes Kuçi, thotë se është absurditet që papunësia të jetë në nivel të lartë dhe të ketë mungesë të kuadrit. Për këtë, ai drejton gishtin tek politika.

“Kemi një fenomen shumë të rrallë, që jo shumë shpesh shoqërive moderne iu ndodh ku kemi fuqi punëtore të lirë, kemi papunësi të theksuar, në anën tjetër kemi mungesë punëtorësh. Ky problem është sensibilizuar nga ana e sektorit të biznesit, duke iu ofruar fillimisht ndihmë politikës e cila ka qenë si bartëse e funksionit të saj, por e dështuar, e cila është udhëhequr nga apetitet e saja ditore, duke e shkatërruar një sistem të tërë arsimorë”, tha Kuçi. Nga Sektori për arsim arsyetohen se kohëve të fundit janë duke zhvilluar politika që të përmirësohet kjo gjendje dhe programet arsimore të jenë kompatibile me nevojat e tregut të punës. Ndryshe, në Tetovë edhe pse ka shumë kompani të vogla dhe të mesme, megjithatë të njëjtit kanë probleme me gjetjen e kuadrit adekuat profesional, kurse radhët e në entin për punësim gjithnjë shtohen të atyre që kërkojnë punë. Deri më tash nuk është bërë asgjë që ky disproporcionalitet të përmirësohet.