“Unë nuk do ti jap mandat për formimin e qeverisë së Republikës së Maqedonisë, askujt që bisedon për platforma të shteteve të huaja, me të cilat cenohet populli i Maqedonisë, rrezikohet uniteti i shtetit, sovraniteti dhe pavarësia e tij. Platforma të huaja pas zgjedhore nuk mund dhe nuk guxojnë të jenë bazë për formimin e qeverisë e Republikës së Maqedonisë”, tha Gjorgje Ivanov, President i RM.
Deklarata që presidenti i Republikës dha para dy dite, është e paargumentuar se shteti është i rrezikuar nga jashtë, vlerësojnë ekspertët e fushës.
Një prej tyre, ka droje se skenari i Jugosllavisë, mund të përdoret për qërim të hesapeve nga pushtetarët me jo-bashkëmendimtarët.
Profesori për çështje të sigurisë Stojan Sllavevski, thotë se nuk ka parë asnjë shenjë, se siguria e shtetit mund të jetë e cenuar nga jashtë.
“Unë nuk e di nëse Presidenti Ivanov ka tjera burime të informacioneve nga agjencitë e inteligjencës për kërcënime të mundshme të sigurisë së shtetit. Por, nëse ato edhe ekzistojnë, duhet të thirret Këshilli për Siguri dhe të diskutohet marrja e masave për të ruajtur sovranitetin dhe sigurinë e integritetit territorial të shtetit”, tha për TV21, Stojan Sllavevski, Profesor universitar.
Ish-gjenerali i Shtatmadhorisë së ARM-së, Zijadin Tushi thotë se Maqedonia historikisht ka qenë “mollë sherri” e fuqive të mëdha.
Tushi, duke iu referuar deklaratës së Moskës zyrtare, thotë se ndikim i faktorit rus po e stagnon Maqedoninë të tejkalojë krizën, dhe të vazhdojë të ecë para në integrimet euro-atlantike.
“Maqedonia si mollë sherri, tash ndodhet në atë pozicion, si të vendos dhe nga cila anë të rreshtohet që të mund të ekzistoj në këtë rajon. Strategjia politiko-ushtarake që e përfshinë këtë vend, do të ketë lëvizje të fuqive edhe politike edhe sekrete, por edhe forcat politiko-ushtarake”, tha Zijadin Tushi, ish-Gjeneral.
Shefja e diplomacisë evropiane, Federaika Mogerini tha të enjten në Shkup, se kriza e brendshme politike, nuk duhet të bartet në krizë ndëretnike, apo edhe më keq në krizë gjeopolitike. Ajo sqaroi, se njëjtën mendon edhe NATO-ja.
Por, profesori i shkencave politiko-ushtarake Blagoja Markovski vlerëson se “të huajt” jo gjithmonë tregojnë qëllimet e tyre.
“Maqedonia është udhëkryqi në mes lindjes e perëndimit, por edhe në mes veriut e jugut. Në këtë aspekt shfaqen interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të fuqive të mëdha. Para së gjithash, përfshirjen e tyre unë më shumë e shoh për interesat e tyre dhe aq më pak brengosjen për zgjidhjen e krizës në Republikën e Maqedonisë”, tha Bllagoja Markovski, Profesor i shkencave politiko-ushtarake
Gjendje e jashtëzakonshme, ose gjendje lufte, mund të shpallet nëse ka rrezik shteti prej sulmeve që cilësohen të ndonjë shteti tjetër. Sipas Kushtetutës, gjendje të jashtëzakonshme të shtetit mund të shpall kuvendi me 2/3 votave të deputetëve me propozim të kryetarit të Republikës, qeverisë ose me kërkesë të 30 deputetëve. Gjendje e jashtëzakonshme mund të shpallet edhe në rast të shpërthimit të ndonjë epidemie, ose kur shtetit preket nga ndonjë fatkeqësi natyrore./Telegrafi/