Një ndeshje mjaft interesante është zhvilluar në White Hart Lane, ndërmjet Tottenham Hotspur dhe Liverpoolit, e cila ka përfunduar me rezultat të barabartë (1-1).
Redsat luajtën më mirë në gjysmën e parë dhe me meritë kaluan në epërsi. Një ndërhyrje e gabuar e Erik Lamelas në Roberto Firminon, u ndëshkua me penalti nga arbitri.
Përgjegjësinë e mori James Milner, i cili u tregua i saktë nga njëmbëdhjetëmetërshi (43’).
Redsat kishin edhe shumë raste të tjera shënimi në 45 minutat e para, mirëpo portieri kundërshtar u tregua i pakalueshëm në rastet paraprake.
Në gjysmën e dytë, pati angazhime sa nga njëra, ashtu edhe nga skuadra tjetër. Mysafirët dëshironin ta vulosnin fitoren, kurse vendasit kërkonin barazimin.
Nga rastet e shumta të të dyja skuadrave përmendim një gol të anuluar të vizitorëve. Ata bënë një aksion fantastik dhe Sadio Mane e futi topin në rrjet. Mirëpo, paraprakisht, lojtari që i asistoi, Lallana, kishte qenë në pozitë jashtë loje.
Dhe pas rasteve të shumta për të shënuar, erdhi momenti i festës për tifozët vendas. Dier dërgoi një harkim që arriti te Danny Rose, i cili pati kohën e duhur për ta dërguar topin në rrjet (72’).
Mysafirët i patën dy raste shumë të mira në mbyllje të takimit, por nuk i shfrytëzuan për ta fituar ndeshjen.
Ky ishte barazimi i dytë i Tottenhamit në këtë fillimsezoni dhe tash numëron pese pikë. Ndërkaq, Liverpooli ka katër pikë, nga një fitore, një barazim dhe një humbje. /Telegrafi/
https://youtu.be/zaRDTLjr28g
https://youtu.be/FngAFFQG8rg