Takimi mes Francës dhe Zvicrës që përfundoi 3-3 në kohën e rregullt, nuk solli gol në vazhdime, duke bërë që sfida e 1/8 së finales së Euro 2020, të shkojë në ekzekutimin e penalltive.
Pas vetëm dy minutash lojë, Les Blues rrezikuan me anë të Antoine Griezmannit që harkoi te Raphael Varane, mirëpo goditja e tij me kokë ishte e pasaktë.
Por, në minutën e 15-të, Zvicra përfitoi nga një huti e Francës, duke kaluar në epërsi me anë të Haris Seferovic, që u asistua nga Stefa Zuber.
Franca më pas mori kontrollin e lojës, e një rast i mirë për ta ishte kur Kylian Mbappe (27’) goditi nga gjuajtja e lirë, por u bllokua.
Një tjetër rast për Francën ishte edhe në minutën e 29-të, kur Adrien Rabiot hyri në zonë, por dështoi t’i gjente bashkëlojtarët.
Zvicra më pas tentoi të dilte përpara me kundërsulme, por bënë pasime të gabuar.
Në pjesën e dytë, Zvicra kishte shansin që të shënonte edhe golin e dytë, mirëpo dështoi.
Zviceranët e fituan një penallti, e përgjegjësinë e mori Ricardo Rodriguez.
Përballë Hugo Lloris, mbrojtësi i Zvicrës dështoi të shënonte nga pika e bardhë, pasi portieri arriti ta ndalte atë.
E këtë gabim të Zvicrës e shfrytëzuan Les Blues, të cilët i barazuan shifrat në 1-1 me anët të Karim Benzeman në minutën e 57-të.
Gjelat nuk u ndalën me kaq, pasi shënuan për 2-1, duke përmbysur kështu rezultatin me Benzeman që ishte përsëri shënues, e Antoine Griezmann në rolin e asistuesit.
Les Blues arritën të shënonin edhe golin e tretë me anë të Paul Pogbas që realizoi në minutën e 75-të me një goditje nga distanca.
Por, zviceranët mbajtën francezët nën ethe, shkaku që Haris Seferovic (81’) shënoi golin e tij të dytë personal dhe për rezultatin 3-2.
Helvetikët nuk u dorëzuan deri në fund dhe i barazuan shifrat në 3-3 me anë të Mario Gavranovic, me Granit Xhakën që asistoi në minutën e 90-të.
Ndeshja shkoi në vazhdime me dy herë nga 15 minuta, mirëpo as aty nuk u përcaktua fati i fituesit edhe pse rastet nuk munguan.
Kështu, ndeshja ka shkuar në gjuajtjen e penalltive, e që pas pak edhe do të mësoni se kush do të kalojë në çerekfinale, aty ku do të takohet me Spanjën. /Telegrafi/