Telegrafi

Nuk ka fitues në Mitrovicë, Llapi largohet me një pikë nga Riza Lushta

Nuk ka sjell fitues ndeshja mes Trepçës ’89 dhe Llapit në Riza Lushta 1-1.

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe në minutën e 17-të realizuan edhe golin e parë nëpërmjet sulmuesit Gucev.

Llapi tentoi golin e barazimit me super talentin Festim Alidema, por që goditja e tij u ndal nga Beqiri i vendasve.

Vetëm një minutë më vonë, Alidema shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga distanca për ta barazuar rezultatin në 1-1.

Llapi mbeti me 10 futbollistë në fushë pasi Mentor Zhdrella u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.

Por skuadrat u barazuan me futbollistë në fushë një minutë para fundit të pjesës së parë.

Gucev i vendasve ndërhyu ashpër në Alideman dhe Genc Nuza e përjashtoi.

Kësisoj pjesa e parë përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1.

Pjesa e dytë ishte edhe më e mirë por që munguan golat.

Hasan Hyseni e Gëzim Rusi patën raste të mira për vendasit por që nuk ia dolën ta dërgonin topin në rrjetë.

Në anën tjetër Hamdi Namani i mysafirëve tentoi por pa sukses.

Krejt në fund të ndeshjes, Gëzim Rusi i vendasve u gjend në mundësi të artë shënimi por dështoi nga afërsia.

Pas këtij barazimi, 89-shi mbetet në pozitën e tetë në tabelë me 15 pikë të grumbulluara.

Ndërkohë Llapi ndodhet në pozitën e tretë në tabelë me 20 pikë, tri më pak se lideri Feronikeli. /Telegrafi/