Site icon Telegrafi

Nuk ka fitues në duelin ndërmjet Arsenalit dhe PSG-së (Video)

Arsenali dhe Paris Saint-Germaini janë ndarë baras (2-2) në duelin kryesor për kreun e Grupit A, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.

Goli i parë u shënua nga skuadra mysafire, e cila ia doli që në minutën e 18-të të heshtte tifozët londinezë në stadium. Blaise Matuidi pranoi një top në zonë dhe nuk u tregua aspak egoist, por asistoi te Edinson Cavani. Sulmuesi uruguaian nuk e pati të vështirë që ta dërgonte topin në rrjet.

Rezultati u barazua në fund të pjesës së parë.  Ozil pasoi te Alexis Sanchez në zonë, i cili u ndal në mënyrë të palejuar dhe arbitri akordoi penalti. Përgjegjësinë e mori Olivier Giroud, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë (45’). Me shifra të barabarta (1-1), skuadra shkuan në pushim.

Pas angazhimit të Topçinjve në fraksionin e dytë, Marco Verratti e gaboi portën duke i kaluar vendasit në epërsi (60’).

Megjithatë, mysafirët ia dolën ta barazojnë rezultatin. Pas një harkimi të Ben Arfas, Lucas Moura shënoi me kokë (77’). Menjëherë pas, Cavani i pati edhe dy raste shumë të mira për të shënuar, por uruguaiani dështoi ta bënte këtë.

Të dyja skuadrat mbeten me pikë të barabarta, nga 11-të. Paris Saint-Germaini kryeson në Grupin A, ndërsa Arsenali është i dyti. Duelet e xhiros së fundit do të vendosin se kush do të shkojë tutje nga vendi i parë. /Telegrafi/

https://youtu.be/S_cCmEuVrKI

https://youtu.be/1Dyq4KN3zrE

Exit mobile version