Kreu i Zyrës së Statistikave Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar (ONS), Ian Diamond, tha se ai nuk ka “asnjë dyshim” se do të ketë një valë të mëtejshme të infeksioneve me coronavirus gjatë stinës së vjeshtës.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, komentet e profesorit Diamond vijnë pasi shefi mjekësor i Anglisë, Chris Whitty tha se ende ekzistonin rreziqe për rihapjen e shoqërisë dhe se Mbretëria e Bashkuar do të përjetojë një rritje tjetër të rasteve në një farë pike, potencialisht në fund të verës, ose gjatë vjeshtës dhe dimrit.
Diamond i cili drejton një departament jo-ministror i cili raporton drejtpërdrejt në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, tha se ata duhet ta kuptojnë se si po ecin përpara të dhënat dhe të shohin ndikimin e fushatës së “mrekullueshme” të vaksinimit.
“Ne duhet gjithashtu ta pranojmë se ky është një virus që nuk do të zhduket”, ka potencuar ai.

“Dhe nuk kam dyshim se në vjeshtë do të ketë një valë të mëtejshme të infeksioneve me coronavirus”, deklaroi mes tjerash eksperti britanik. /Telegrafi/