Telegrafi

Nuk ka dilema rreth largimit, Cristiano Ronaldos po i rritet rroga për nëntë milionë euro

Cristiano Ronaldo ditë më parë kishte konfirmuar besnikërinë ndaj klubit të Real Madridit.

Kjo ka bërë që zyrtarët e klubit madrilen ta shpërblejnë portugezin me ngritje të pagës pas sukseseve të arritura gjatë sezonit të kaluar.

Sipas gazetës së përditshme spanjolle “ABC”, Los Blancos do t’i rrisin pagën CR7-shit në fund të këtij sezoni.

Cristiano Ronaldo deri më tani ka pasur 281 paraqitje dhe ka shënuar 293 gola për Realin

Portugezi, i cili aktualisht merr rreth 21 milionë euro në vit (me shpërblime arrin 25), do të ketë pagë rekord prej 30 milionë eurove, aq sa e ka edhe Neymar në PSG.

Rritje do të ketë për nëntë milionë në këtë sezon ndërsa kontratën e re do ta nënshkruaj gjatë verës.

Cristiano, sipas “ABC”, u ka konfirmuar tashmë zyrtarëve të klubit të bardhë se dëshiron të vazhdojë pa marrë parasysh se çfarë ndodh dhe gjithashtu e kupton se tani nuk është koha ideale për të ndryshuar kontratën.

Nga ana tjetër, me rritjen e pagës do të ishte shenjë e mirë se “mbretërit” kanë ende besim te lojtari.

Ndryshe, Ronaldo e ka fituar dy herë La Ligan dhe ka tre trofe të Ligës së Kampionëve me kampionët spanjoll dhe botëror. /Telegrafi/