Site icon Telegrafi

Nuk jemi njësoj!

Gazetarët duhet ta dinë se adresa e këtij prapa-kthimi është selia e PDK-së. Realisht, vetëm mund t’i hipin në qafë Kuvendit të Kosovës. Duhet t’ia thonë qartë opinionit se kush janë përgjegjësit. Mos të na fusin në një thes, sepse nuk është aspak e qëndrueshme. Nuk jemi njësoj dhe pikë!

Edhe kjo ndodhi. Kodi Penal u miratua me nenet armiqësore nga mediave të lira. Kuvendi i Kosovës u zu peng nga një grup i vogël deputetësh, i prirë nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. Ndërsa, zëri i këtij grupi ishte një ish-gazetar, Berat Buzhala.

Adresa është e qartë. Është e qartë për të gjithë ata që kanë sy, vesh dhe dy fije mend. Adresa është PDK-ja. Partia më e madhe e Kosovës që nga viti 2007, pra tashmë pesë vjet, e cila tashmë duket se ka filluar të vë në sipërfaqe problemet e brendshme, probleme këto që dhanë dy pasoja të drejtpërdrejta.

Së pari, shkaktuan një dëm tepër të thellë Kosovës sa i përket demokratizimit të shoqërisë, mediave të lira dhe zhvillimit të mëtejshëm drejt integrimeve evro-atlantike. Jo rrallë herë kam thënë publikisht se ky konstelacion qeverisës (qeveri dhe shumicë parlamentare) është rreziku kryesor i Kosovës në rrugën drejt Evropës dhe NATO-s. Dikush ka mundur të mendojë se deklarime të tilla kanë qenë frustrime opozitare, por ja që erdhi një moment ku ky rrezikim i rrugës tonë evropiane doli në shesh. Nuk do mend se një numër i raporteve negative ndërkombëtare do të vërshojnë për Kosovën, si një vend që nuk di çka është demokracia, çka është media e lirë dhe që synon të vendos nën kontrollin e pushtetit çdo gjë që shkruajnë apo publikojnë mediat. Reagimet e para veçse kanë filluar të vijnë, qoftë nga organizatat ndërkombëtare të gazetarisë, qoftë të atyre që merren me fjalën e lirë, por po ashtu edhe reagime nga institucionet politike të Bashkimit Evropian.

Pas këtyre reagimeve do të shohim edhe vlerësime tejet negative të Komisionit Evropian në dy raportet e ardhshme të shpejta që do t’i publikojë në tetor të këtij viti. Pra, Raporti i Progresit 2012 i Komisionit Evropian do të jetë vërtetë i keq për Kosovën. Përveç faktit se Raporti i Progresit do të përsëris shumicën e problemeve dhe të metave që ka identifikuar në vitin 2011, tashmë do të shtojë edhe vlerësimin tejet negativ për tendencën e pushtetit që të ngulfas mediat e lira, përmes një Kodi Penal që nuk është në përputhje me asnjë standard apo parim të demokracisë bashkëkohore të Perëndimit. A nuk është ky një rrezikim i drejtpërdrejtë që kjo strukturë udhëheqëse e Kosovës po i bën vendit tonë në rrugën drejt integrimeve evro-atlantike?

Së dyti, realisht shkarkoi nga detyra e zëvendës-kryeministrit dhe ministri të Drejtësisë, Hajredin Kuçin. Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti se këta deputetë votuan kundër heqjes së neneve kur e kishin të qartë se nënkryetari i partisë së tyre e kishte vënë fjalën peng se do të jepte dorëheqje nëse nenet mbeten në Kod. Madje, as duartrokitjet e Berat Buxhalës pasi kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, deklaroi se Kodi u miratua dhe nenet problematike mbetën në të. Nëse dikush mendon se Hajredin Kuçi mezi a pritur të jep dorëheqje, besoj se është pikëpamje në kontekst të gabuar. Gjatë seancës parlamentare të premten e kaluar, Hajredin Kuçi u mundua të përdorë edhe autoritetin prej nënkryetari të PDK-së që të bind deputetët e partisë së tij që të votojnë pro heqjes së neneve. Madje, një ngjyrë e zezë që kishte kapluar fytyrën e tij dhe nervoza e dukshme janë elemente dëshmuese se ai mund të jetë ndier i ngulur nga partia e tij. Duket se ai dha dorëheqje duke besuar se shefi i tij partiak, Hashim Thaçi, nuk është i përfshirë në ndonjë komplot të mundshëm kundër tij.

Sidoqoftë, as më të voglin emocion nuk besoj se duhet ta kemi për dorëheqjen e Hajredin Kuçit nga Qeveria. Tek e fundit, ishte vetë ai dhe Ministria e tij që sollën në Kuvendin e Kosovës këto nene problematike dhe armiqësore brenda Kodit Penal. E më pas, të paktën ai duket se e kuptoi gabimin tepër të rëndë që kishte bërë me sjelljen e këtyre neneve në Kuvend. Por, definitivisht ishte vonë.

Pas gjithë këtij kthimi prapa, reagimi i komunitetit të gazetarëve është i kuptueshëm. Por, një gjë që duhet ta kenë parasysh gazetarët është fakti se nuk janë të vetëm në këto reagime. Pos tyre, opozita është kundër këtyre neneve, është kundër edhe presidentja, është kundër edhe bashkësia ndërkombëtare. Paralajmërimet për protesta të gazetarëve janë të kuptueshme. Por, gazetarët duhet ta dinë se adresa ku duhet të protestojnë është selia e PDK-së. Realisht, nuk kanë çka të kërkojnë tek objekti i Kuvendit. Duhet t’ia thonë qartë opinionit se kush janë përgjegjësit për këtë kthim prapa. Mos të na fusin në një thes, sepse nuk është aspak e qëndrueshme. Nuk jemi njësoj dhe pikë! Nuk mund të jenë njësoj si ai që ka votuar për heqjen e neneve armiqësore, si ai që ka votuar për mbajtjen e këtyre neneve. Nuk ka logjikë. Mjaft deri më tash është investuar në opinion se të gjithë janë njësoj, nuk dallojnë, të gjithë e kanë për pushtet, askush nuk mendon për shtet, askush nuk interesohet për qytetarët, për liritë dhe të drejtat fundamentale të njeriut. Nuk ka qenë dhe nuk është e vërtetë.

(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së dhe deputet (kundër neneve armiqësore!) në Kuvendin e Kosovës)

Exit mobile version