Telegrafi

Nuk jemi lajmi i Vjenës

Krerët e institucioneve shtetërore, dhe të partive politike në Kosovë, nuk kanë pse të reagojnë kundër sulmit terrorist në Vjenë – atje ku njëri prej terroristëve thuhet se ishte me origjinë nga Kosova. Origjina gjeografike nuk ka lidhje me identitetin kombëtar aq më pak atë ideologjik.

Si shqiptar i rëndomtë, besoj se askush nuk i merr seriozisht lajmet e zeza të publikuara në media! Ato lajmet që ne na etiketojnë. Si shqiptarë.

Sepse…

Shqiptari është përtej lajmit…

Ne, për çdo ditë i dëgjojmë disa prej liderëve politikë, të të gjitha partive politike, tek ngarendin pas predikuesve ekstremistë fetarë që na shtiren edhe si bamirës e njerëz humanë.

Por, nëse këta e shpalosim tamam bindje e rezonin e tyre, gjejmë thirrje publike nga ta se si ju drejtohen… “xhematit” të tyre… për të keq… shumë keq… se si t’i rrisim fëmijët tanë, shpirtërisht të pasherrë… se si t’i përgatitin ata për “xhihad” dhe… se si t’i mbrojnë “vëllezërit” myslimanë në Irak, në Siri e gjetiu.

Ne, falë këtyre predikuesve e ligjëruesve, kinse fetarë, kemi prodhuar keqbërës; falë këtyre “bamirësve” të cilët jo rrallë e vizitojnë diasporën shqiptare, ku ata tentojnë t’i mësojnë mërgimtarët tanë se si t’i rrisin fëmijët e tyre… ne 2kemi fituar” edhe njollën e zezë për aktin barbar të Vjenës.

Njollë që nuk na takon.

Jo. Nuk na takon.

Në vend se t’i luftojmë me forcën e ligjit, e të Kanunit, ne po e ndjekim secilin “fetar” e po e falënderojmë për punën “humane”, pa ditur send se çfarë po bëjnë…

Nëse e përcillni me vëmendje, Parlamentin e Kosovës, shihni edhe deputetë që publikisht i mbështesin predikuesit që nuk dinë fare se për çfarë flasin.

Reflektimi i ynë duhet të jetë i menjëhershëm, sepse, dikur do të jetë shumë vonë.