Site icon Telegrafi

“Nuk jam takuar me Putinin prej dy vitesh”, Musliu nxjerr “bllof” Vuçiqin për deklaratat në Pragë

Agim Musliu, njohës i çështjeve të sigurisë, e ka nxjerrë “bllof” presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për një deklaratë që ky i fundit e ka dhënë në Forumin GLOBSEC në Pragë.

Drejtori i Institutit Octopus thotë se Vuçiqi gënjeu kur pretendoi në fjalimin e tij në Pragë se në më shumë se dy vjet nuk ishte takuar apo nuk kishte komunikuar me presidentin rus Putin.

“Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Pragë – GLOBSEC, Aleksandar Vuçiq tha se ai nuk ishte takuar ose nuk kishte folur me presidentin rus Vladimir Putin në më shumë se dy vjet që kur Rusia filloi pushtimin në Ukrainë. Ai gënjen”, thotë Musliu duke bashkangjitur dy fotografi që dëshmojnë për një takim qe vet Vuçiq e kishte konfirmuar se kishte pasur me Putinin në Kinë në tetor të vitit 2023.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar me 17 tetor të vitit 2023 se e zhvilloi “një bisedë të shkurtër” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me të cilin, megjithatë, tha se “nuk pati takim dypalësh” gjatë vizitës së tyre në Pekin.

Vuçiqi dhe Putini kishin marrë pjesë në forumin ndërkombëtar të iniciativës kineze “Belt and Road” në Pekin.

Serbia është në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian, sepse nuk po pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës./Telegrafi/

Exit mobile version