Pas shumë vonesash, përkatësisht gati pas katër vitesh, rinovimi i palestrës “Minatori” tashmë është kryer. Mirëpo, puna që është bërë në këtë palestër nuk po ua mbush syrin klubeve të Mitrovicës që e shfrytëzojnë atë dhe as tifozëve të tyre, “Torcidave”. Mitrovicasit konsiderojnë se rinovimi i palestrës së tyre nuk është bërë ashtu siç parashihej me atë projekt me të cilin edhe kishin nisur punimet, e të cilat i kishte financuar Komisioni Evropian në vlerë prej 2 milionë eurosh. Klubet dhe tifozët kanë vërejtje në pajisjet e vendosura në palestër, si në ulëse, semaforë, kosha, gola, etj. Sipas mitrovicasve, me pajisjet e vendosura, “Minatori” nuk do t’i plotësojë kriteret për ndeshje ndërkombëtare, dhe si të tillë nuk e pranojnë.
“Tifozeria e qytetit dhe klubet nuk janë të pajtimit të hyjnë në palestër pa u implementuar marrëveshja e parë e kontraktuar nga Bashkimi Evropian, pra pa qenë pajisjet dhe plotësimi i kushteve për lojë ndërkombëtare”, thuhet në një komunikatë që e kanë lëshuar “Torcidat” pas një takimi që e kanë zhvilluar me përfaqësuesit e klubeve të basketbollit, hendbollit, volejbollit, boksit, xhudos e karatesë.
Mirëpo, Komisioni Evropian e pati prishur kontratën me punëmarrësin e parë, ndërsa pajisjet që nuk po u pëlqejnë tifozëve dhe klubeve janë të kontraktuesit të dytë, “Uniproject”. “Unë nuk e di se çfarë kontrate ka pasur më herët Komisionin Evropian me punëkyesin tjetër. Ajo çka mund të them unë është se kontratën që unë e kam nënshkruar me Komisionin Evropian jam duke e respektuar 100 për qind”, tha për “Zërin” pronari i kësaj kompanie, Agim Raifi.
“Ulëset janë rezistuese ndaj zjarrit, siç janë kërkuar me kontratë. Pastaj, koshat, semaforët, golat e këto tjerat krejt janë me certifikata ndërkombëtare. Janë të nivelit të dytë, jo të parit, sepse dallimi në vlerë është thuajse 100 për qind. Por, janë të atilla çfarë parasheh kontrata. Dhe, të gjitha janë vendosur vetëm pasi i ka verifikuar Komisioni Evropian. Kështu që kontrata po zbatohet 100 për qind”, tha ai. Edhe drejtori i Sportit në Komunën e Mitrovicës, Latif Peci, tha se me pajisjet e vendosura, palestra do t’i plotësojë kriteret ndërkombëtare. “Punimet patën ngecur shumë.
Dhe, pata nis komunikimin dhe bashkëpunimin me Komisionin Evropian për t’i shtyrë përpara punimet. Kontraktuesi i dytë i ka vendosur pajisjet, të cilat i ka sjellë me certifikate ndërkombëtare. Pra, i plotësojnë kriteret për ndeshje ndërkombëtare”, thotë Peci. “Pajisjet e vendosura në palestër nuk janë të nivelit të parë, por të dytë, të njëjta me ato të palestrave të vendeve tjera të rajonit”, u shpreh Peci, i cili është i pakënaqur me zvarritjet e vazhdueshme që janë bërë dhe po bëhen në përfundimin e punimeve në palestër, nga të cilat vonesa më së shumti kanë pësuar sportistët.
Por, nuk e di nëse Komuna do ta pranojë apo jo palestrën. “Unë nuk e pranoj, por është çështje e Drejtorisë së Urbanizmit. Unë kam hy në këtë punë nga vullneti i mirë vetëm për t’i çuar përpara punët”, tha Peci. “Zëri” nuk ka mundur të kontaktojë me Komisionin Evropian.